E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha shmang Topin te ushtarakët: U organizua puç shteti

Ndryshe nga herët e tjera, ceremonia është zhvilluar tek kryeministri, duke shmangur në takim presidentin Bamir Topi.

Në fjalën e rastit, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, përgëzoi forcat komando për misionin e kryer atje, duke shtuar se ata përmbushën një mision tejet të rëndësishëm.

“Kjo është fytyra e vërtetë e Shqipërisë që po bën përpjekje për t’u radhitur midis kombeve demokratike dhe të zhvilluara”, tha Imami. Nga ana e tij, kryeministri Sali Berisha uroi ushtatër e “Shqiponjave” për mirëseardhjen.

“Misioni juaj, misioni i njësisë Shqiponja 1 do të mbetet në memorien e forcave të armatosura të kombit tonë, si forcat që ndërmorën misionin e parë përkrah vendeve euroatlantike. Në gjashtë muaj ju u përballët me misione të rrezikshme, ju dëshmuat trimëri të madhe, gjakftohtësi të madhe, përgatitje ushtarake të shkëlqyer, komunikim të zhdërvjellët. Ju nuk ishin një njësi e madhe, por ja dolët të fitonin respektin e njësive të tjera, para se të gjithash të njësive amerikane, të komandantëve dhe të vetë komandantit Petreus”, theksoi ndër të tjerash kryeministri.

Berisha nuk la pa përmendur edhe atë që ai e quan puç ndaj shtetit, duke nënvizuar se teksa forcat speciale po luftonin në Afganistan, ata morën vesh se në vendin e tyre po organizohej grusht shteti.  “Ndërkohë kur ju përballeshit me armikun më të egër të kombit afgan, më 21 janar puçistët sulmuan godinën e Këshillit të Ministrave. Natyrisht institucionet kushtetuese në një vend anëtar të NATO-s nuk mund të pushtohen kurrë”, tha kryeministri.

Më tej, Berisha ka deklaruar se qeveria do të mbështesë plotësisht të gjitha misionet që do të organizohen nga ushtria shqiptar. “Qeveria shqiptare mbetet e vendosur të bëjë çdo përpjekje për modernizimin e forcave tona të armatosura, për të përmbushur me dinjitet të gjitha detyrimet që rrjedhin nga anëtarësia e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Arritja e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ishte historike, por përgjegjësia jonë është dhe do të mbetet historike. Qeveria do të mbështesë plotësisht me të gjitha mjetet për përmbushjen e misioneve”, tha ai. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-02-08 10:40
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›