Berisha shpërblen besnikët, rezultati i primareve nuk merret parasysh. Disa figura largohen nga gara

Partia Demokratike dorëzoi në mesnatë listën e kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit.
Kryetari i PD Sali Berisha deklaroi në forumet e PD se ky është ekipi që do të çojë aleancën Shqipëria Madhështore drejt fitores.
“Koalicioni për ‘Shqipërinë Madhështore’ paraqitet para shqiptarëve me listën më dinjitoze që është paraqitur ndonjëherë kjo parti, me luftëtarë të vendosur të kauzave të drejta të kësaj partie, të cilët në 4 vite kanë bërë betejat më të fuqishme që ka njohur opozitarizmi në Shqipëri”, tha Berisha.
Në ekipin e përzgjedhur nga kryetari i PD Sali Berisha bie në sy nga 52 deputetë demokratë që u zgjodhën në vitit 2021, vetëm 19 prej tyre janë vendosur në pjesën e mbyllur të listës; të tjerët ose janë vendosur në listën e hapur ku fitorja është e pasigurt, ose nuk kandidojnë më.
Bie në sy se kryetari Sali Berisha në jo pak raste, nuk i mori parasysh rezultatet e procesit të primareve.
Në Tiranë më të votuarit në primare si Jorida Tabaku, Ilir Alimehmeti, Grigels Mucollari, Hysen Kadiu u lanë në listën e hapur.
Në Elbasan më i votuari në primare Dashnor Sula u la në listën e hapur, njësoj Berisha veproi me Ilir Krosin në Dibër.
Mosrespektimi i rezultatit të primareve u shoqërua me debate në mbledhjen e kryesisë dhe një pjesë e mirë e deputetëve dhe fituesve të primareve u tërhoqën nga kandidimi.
Deputeti Dashnor Sula refuzoi të kandidojë në listën e hapur të Partisë Demokratike dhe vendosi të garojë me koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” e drejtuar nga Adriatik Lapaj. Refuzuan listën e hapur deputetët aktuale të Elbasanit Lefter Geshtenja, Zheni Gjergji, deputetja e Divjakës Ilda Dhori, Oriela Nebiaj.
Në ekipin e përzgjedhur nga Sali Berisha për garën e 11 majit, bie në sy se mungojnë figurat e reja dhe lideri i opozitës ka vendosur që këtë betejë ta zhvillojë me bashkëpunëtorët më të afërt të këtyre viteve.
/vizionplus.tv