Berisha shpërblen policët dhe gardistët
(E plotësuar) Kryeministri Sali Berisha ka vendosur shpërblimin e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës që ishin në detyrë ditën e djeshme gjatë demonstratës, ku humbën jetën tre persona dhe u plagosën dhjetra të tjerë.
Kreu i qeverisë ka vendosur me vendim të Këshillit të Ministrave shpërblimin me nga katër paga suplementare për punonjësit e plagosur dhe një pagë për pjesën tjetër.
“Me propozim të kryeministrit të vendit, zotit Sali Berisha, Këshilli i Ministrave ka vendosur të shpërblejë të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, të cilët morën pjesë në mbrojtje të institucioneve të vendit, me 1 pagë suplementare dhe punonjësit e plagosur të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës me 4 paga suplementare”, është shprehur zëdhënësja e kryeministrit, Erla Mëhilli.
Urdhërarrest për 6 gardistë
Prokuroria e Tiranës ka lëshuar urdhër-arrestet për gjashtë efektivë të Gardës së Republikës, të cilët akuzohen për vrasje, shpërdorim detyre dhe tejkalim kompetencash përgjatë demonstratës ku tre persona që ndodheshin në demonstratë humbën jetën nga armë zjarri.
Jo zyrtarisht bëhet e ditur se urdhër-ndalimet janë bërë për drejtues të nivelit të lartë të gardës të cilët kanë qenë shefa të shërbimit gjatë demonstratës dhe oficerë zbatues.
Por duke qenë se operacioni i policisë sapo ka nisur për prangosjen e tyre Prokuroria i mbajti sekret emrat e tyre për të mos sabotuar aksionin.
Sipas ligjit të gardës, ndaj një protestuesi mund të qëllohet vetëm nëse ai kalon rrethimin e një institucioni të veçantë dhe qëllohet vetëm atëherë kur është paralajmëruar.
Siç është dëshmuar deri tani të paktën nga pamjet filmike, por dhe provat e mbledhura nga hetuesit, të tri viktimat janë qëlluar me armë zjarri jashtë perimetrit të Kryeministrisë.
Për detaje të mëtejshme zyrtare pritet të ketë një reagim nga Prokuroria e Përgjithshme, apo policia. (tch)