E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eliminohen Williams dhe Henin

Venus Williams nuk qëndroi më tepër se një gem dhe për shkak të një lëndimi dorëzoi meçin e saj përballë Andrea Petkovic në rrethin e tretë të Australian Open. Ndërsa Justine Henin u mposht nga Svetlana Kuznetsova. Bartësja e parë Caroline Wozniacki vazhdoi tutje. Te meshkujt, Roger Federer dominoi ndaj Xavier Malisse. Nga Express më 22 janar 2011 në ora 11:22

Venus Williams qëndroi vetëm një gem në ndeshjen e saj të rrethit të tretë në Australian Open para se të tërhiqet. Andrea Petkovic fitoi gemin e parë para se Williams me shtatë tituj Grand Slam në karrierën e saj të rrëzohej, duke u ankuar në një lëndim muskulor dhe dorëzoi meçin.

Pak para saj turneun e humbi edhe Justine Henin, e cila u mposht nga Svetlana Kuznetsova 6-4, 7-6 (10-8). Bartësja e 11-të, kampione e vitit 2004 humbi setin e parë, ndërsa dështoi të shfrytëzojë një set-poen në të dytin, derisa Kuznetsova triumfoi pas 124 minutave lojë.

“Kam pasur dëshirë të madhe të fitoj dhe jam shumë e lumtur që kam arritur këtë”, tha bartësja e 23-të. Bartësja e parë Caroline Wozniacki mposhti Dominika Cibulkovan, ndërsa kampionja e vitit 2008, Maria Sharapova fitoi përballë Julia Georges.

Te meshkujt, Roger Federer vazhdoi mbrojtjen e titullit të tij në Australian Open me fitore bindëse ndaj belgut Xavier Malisse në rrethin e tretë. Tenisti numër dy në botë ishte në disavantazh 3-1 në geme në setin e dytë, por fitoi 10 geme me radhë për të siguruar fitoren 6-3, 6-3, 6-1 në 105 minuta lojë.

Ylli zviceran do të takohet me bartësin e 10-të, spanjollin Tommy Robredo, i cili mposhti ukrainasin Sergiy Stakhovsky 5-7, 6-2, 6-4, 6-2. Bartësi i tretë, Novak Djokovic ishte duke udhëhequr 6-2 pas një seti ndaj bashkëkombësit të tij serb Viktor Toicki, kur ky i fundit e dorëzoi meçin për shkak të një sëmundjeje. Ndeshja zgjati vetëm 39 minuta.

Spanjolli Nicolas Almagro mposhti kroatin Ivan Ljubicic 6-4, 7-6 (10-8), 6-3 dhe përgatiti përballjen me Djokovicin. Amerikani Andy Roddick shërbeu 32 ase në fitoren e tij ndaj Robin Hase nga Holanda 2-6, 7-6 (7-2), 6-2, 6-2. Roddick, i cili mund të takohet me Federerin në çerekfinalet e javës së ardhshme, do të përballet me zviceranin Stanislav Wawrinka të dielën.

Bartësi i gjashtë Tomas Berdyck mposhti francezin Richard Gasquet 6-2, 7-6 (7-3), 6-2. Në një përballje tjetër të rrethit të tretë, spanjolli Fernando Verdasco mposhti japonezin Kei Nishikori 6-2, 6-4, 6-3, ndërsa Stanislas Wawrinka fitoi ndaj Gael Monfils 7-6 (7-4), 6-2, 6-3. Verdasco do të takohet me Berdychin të dielën.

Meshkujt:

Berdych - Gasquet 6-2, 7-6, 6-2
Verdasco - Nishikori 6-2, 6-4, 6-3
Almagro - Ljubicic 6-4, 7-6, 6-3
Djokovic - Troicki 6-2, 0-0 (dorëzim)
Roddick - Haase 2-6, 7-6, 6-2, 6-2
Wawrinka - Monfils 7-6, 6-2, 6-3
Robredo - Stakhovsky 5-7, 6-2, 6-4, 6-2
Federer - Malisse 6-3, 6-3, 6-1

Femrat:

Li - Zahlavova Strycova 6-2, 6-1
Sharapova - Gorges 4-6, 6-4, 6-4
Petkovic - Williams 1-0 (dorëzim)
Schiavone - Niculescu 6-0, 7-6
Kuznetsova - Henin 6-4, 7-6
Sevastova - Manasieva 6-1, 6-3
Wozniacki - Cibulková 6-4, 6-3
Azarenka - Scheepers 6-3, 6-3

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›