E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia kufitare konfiskon duhan e rroba

Nga Express më 22 janar 2011 në ora 22:09

Futja kontrabandë e mallrave në Kosovë me kuaj nëpërmjet vijës së gjelbër të kufirit Kosovë-Maqedoni ka vazhduar edhe sivjet, ndërsa burime nga Hani i Elezit kanë thënë se të enjten dhe të premten mbrëma policia kufitare ka arritur të parandalojë kontrabandimin e një sasie mallrash.

Fahri Vishi, komandant i policisë kufitare të sektorit përgjegjës për vijën e gjelbër të kufirit Kosovë-Maqedoni, me seli në Kaçanik, ka thënë se më 21 janar, rreth orës 23:20, është ndaluar një veturë në të cilën janë gjetur dhe konfiskuar 36 kilogramë duhan, 70 paketa me letër cigaresh dhe makina për mbështjellje cigaresh.

Pas hetimeve të para të zhvilluara është konstatuar se duhani i konfiskuar është futur kontrabandë nëpërmjet rrugëve malore të vijës së gjelbër të kufirit. Ndërkaq, të enjten mbrëma patrulla në terren ka parandaluar futjen kontrabandë të një sasie mallrash të ngarkuar në dy kuaj. “Kontrabandistët kanë arritur që me kuaj të kthehen prapa në territorin e Maqedonisë, mirëpo, gjatë ikjes me vrap malli u ka rënë në tokë”, ka theksuar ai.

Bëhet fjalë për 404 komplete rrobash të konfiskuara. Majori Vishi ka deklaruar se nëpërmjet rrugëve malore janë duke u kontrabanduar mallra të ndryshme, bagëti dhe barna. “Nga 1 janari i sivjetmë nuk është regjistruar asnjë rast i kontrabandës së armëve, municioneve dhe substancave narkotike”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›