E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha shtron Iftar: Besimi tek Zoti, frymëzim i madh

Kryeministri Berisha ka shtruar një Iftar gjatë ditës së djeshme, me rastin e muajit të Ramazanit.

Të ftuar në këtë darkë kanë qenë përfaqësues të Komunitetit Mysliman Shqiptar, kryetarin e tij, Haxhi Selim Muça, Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve Baba Edmond Brahimaj, myfti, imamë, intelektualë islamë; Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit, dhe gjithë Shqipërisë Fortlumturinë e tij Anastas Janullatos, Arqipeshkvin Metropolit të Tiranës dhe Durrësit dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Rrok Mirdita, Presidentin e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Pastor Fitor Muça, përfaqësues të Komunitetit Mysliman të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, përfaqësues të trupit diplomatik etj.

Berisha mbajti një fjalim me këtë rast, duke thënë se besimi në Zot, është një frymëzim i madh.

Së pari dëshiroj dhe njëherë me shumë mirënjohje tju falenderoj, që pranuat ftesën të lutemi sëbashku në këtë iftar dhe ta kalojmë sëbashku.  Para së gjithash është një detyrë e imja dhe një nder i veçantë të përulem me nderim të madh para të gjithë atyre besimtarëve, të cilët në përkushtimin e tyre ndaj Zotit , agjeruan muajin e Ramazanit, në kushte të një vere ndër më të nxehtat. Pranuan sakrificën dhe privimin edhe nga pika e ujit, për të dëshmuar përkushtimin e tyre ndaj Zotit, për të dëshmuar virtytin e sakrificës mbi të cilën ndërtohen të gjitha mirësitë dhe arritjet e njeriut.

Ne jemi sot të mbledhur këtu nga të gjitha trojet shqiptarë, jemi të mbledhur këtu me përfaqësues të besimeve të tjera të mëdha, në dëshminë e shkëlqyer se besimi tek Zoti, përkushtimi ndaj atij, është besimi  dhe përkushtimi më suprem i njeriut. Me dëshminë se përkushtimi ndaj Zotit, është frymëzimi i madh për njeriun, për dashurinë, për tolerancën, për mirëkuptimin. Çdo besimtar burrë, grua, i përkushtuar ndaj Zotit ka rastin e madh të dëshmojë vlerat e mëdha të këtij besimi dhe përkushtimi.  Vlerat e mëdha të këtij vlerësimi dhe përkushtimi janë mirëkuptimi, toleranca, respekti i ndërsjellë për besimin e tjetrit.  Ne shqiptarët kemi një trashëgimi të shkëlqyer, e cila dora dorës vjen duke u bërë gjithnjë e më e njohur dhe dora dorës vjen duke u shpalosur gjithnjë e më shumë në Europë dhe në botë, tha Berisha.

Ai është ndalur edhe tek 100-vjetori i Pavarësisë, duke thënë se është rasti për të shprehur një mirënjohje të thellë ndaj udhëheqësve të kombit të të gjitha besimeve, të cilët dhanë një kontribut historik në pavarësinë e Shqipërisë dhe në lirinë e shqiptarëve.

Këtë vit, që kemi edhe vitin e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit është një rast për të shprehur një mirënjohje të thellë ndaj udhëheqësve të kombit të të gjitha besimeve, të cilët dhanë një kontribut historik në pavarësinë e Shqipërisë, në pavarësinë e shqiptarëve, në lirinë e shqiptarëve.  Këtë vit këtë 6 mujor, ne kryesojmë institucionin më të vjetër demokratik të Europës të pasluftës, Këshillin e Europës dhe ky është një nder shumë i madh për ne dhe një nga motot e këtij drejtimi që kemi përzgjedhur, është “Të bashkuar në diversitet” dhe këtë moto ne shqiptarët mund ta ilustrojmë bukur me trashëgiminë tonë shpirtërore, me respektin tonë të madh të ndërsjellë për besimin e  tjetrit, me tolerancën fetare të shkëlqyer që ne kemi.

Ndaj dhe unë dua të shpreh nderimin tim më të madh për ju dhe përulem me nderim të thellë, ndaj të gjithë atyre, të cilët e shndërruan këtë muaj në muajin e  sakrificës fisnike, në muajin e përkushtimit të madh ndaj Zotit dhe vlerave hyjnore që frymëzojnë njeriun.

Dhe njëherë gëzuar dhe le te urojme që muaji tjetër i Madhërueshëm  i Ramazanin të na gjejë dhe më mirë, dhe më të përkushtuar, dhe të vendosur në rrugën e  Zotit, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›