E Diel, 1 Nëntor 2026

Nard Ndoka: Në shtator dua një post ministri nga Berisha

Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka konfirmuar negociatat për tu përfshirë në koalicion me mazhorancën aktuale. Ai ka thënë se në shtator pret që të marrë një post ministri nga ana e Berishës.

“Vijojmë negociatat me mazhorancën dhe kreun e saj Sali Berisha për arritjen e një marrëveshje koalicioni që do të sjellë dhe përfshirjen e PDK në kabinetin qeveritar. Në shtator pritet të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar dhe ne shpresojmë për një kontribut real në qeverisjen e vendit, me një post ministror. Ne jemi në pritje dhe gjithçka pritet të përfundojë në muajin shtator“, ka thënë Ndoka për Shqiptarja.com.

Ndoka ka mohuar mundësinë që të përfshihet një një koalicion qeverisës me kontribut në nivel zv.ministri, duke nënvizuar dhe njëherë faktin se nuk ka pasur prishje të marrëveshjes bashkëqeverisëse mes PD dhe PDK, por një ngrirje të kësaj marrëveshjeje.

Ai ka lënë hapur gjithashtu mundësinë e bashkëpunimit me opozitën, në rast se Berisha nuk plotëson kërkesat e PDK-së.

“PDK nuk i ka shkëputur të gjitha marrëdhëniet e bashkëpunimit me PS dhe koalicionin opozitar, pasi kemi qënë shumë kohë në të njejtin front opozitarizmi në tërë këto vite. Pra ne e kemi lënë derën të hapur për një mundësi koalicioni nëse dhe Rama përafron qëndrimet e tij me tonat dhe nëse nuk arrihet një akord me mazhorancën e djathtë. Ne nuk jemi statikë në qëndrimet tona“, tha Ndoka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›