E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtëpi në rrezik dhe të pasiguruara

Shtëpi të palegalizuara, pa tituj pronësie, për shkak të mungesës së hipotekimit, por edhe të pasiguruara përballë fatkeqësive të tilla si zjarri, tërmetet apo edhe hajdutët. Një pjesë e madhe e tyre janë ndërtuar pa projekte të studiuara e të ndjekura nga inxhinierë ndërtimi, por thjesht nga brigada punëtorësh me një teknik në krye. Madje, pas katit të parë, vit pas viti, sipas parave të mbledhura, hidhen edhe katet e tjera, duke u shndërruar në një rrezik potencial për vetë pronarët e tyre të ligjshëm a të paligjshëm. Është kjo situata thuajse në të gjithë periferinë e palegalizuar të kryeqytetit shqiptar, por edhe më gjerë në mbarë vendin. Janë vetë banorët që tregojnë se shtëpitë që presin t‘u legalizohen janë ndërtuar pa projekte dhe pa masa sigurie në përputhje me standardet e ndërtimit. Po kështu, pallatet e reja të ndërtuara me një ritëm mjaft të shpejtë, gjatë këtij dhjetëvjeçari të fundit, janë sërish të zbuluara nga të gjitha fatkeqësitë, që në ditët e sotme janë shtuar së tepërmi. Janë të rrallë ata që vullnetarisht i drejtohen kompanive për të siguruar banesën e tyre.

Sigurimet

"Shtëpitë i sigurojnë vetëm ata që detyrohen të marrin një kredi dhe e vendosin atë si kolateral. Janë bankat që ua vendosin si kusht. Të tjerët që kryejnë sigurimin e shtëpisë vullnetarisht janë më të rrallë. Kryesisht për këta të fundit bëhet fjalë për shtëpi të mëdha dhe vila të kushtueshme". Janë këto fjalët e një përfaqësuesi të një kompanie private sigurimesh në kryeqytet. Shtëpitë e pasiguruara janë "në modë" në vendin tonë. Numri i siguruesve vullnetarë, sipas të dhënave, është tejet i papërfillshëm në raport me totalin e banesave. Punonjës të kompanive të sigurimeve konfirmojnë se ata mund të sigurojnë edhe ato banesa, të cilat janë në proces legalizimi, apo ato që janë të pa hipotekuara. Ndërkohë që sipas tyre mungon një kuadër ligjor detyrues për të bërë një gjë të tillë, përjashto detyrimet bankare. Krejt ndryshe nga sa ndodh me automjetet, për të cilat të gjithë janë të detyruar që të presin siguracionin.

Legalizimet

Agjencia e Legalizimeve, ose ALUIZN-i, gjatë procesit të njohjes së pronave, nuk e ka si kusht të sajin sigurimin paraprak të pronës ose pasurisë së patundshme, që do të njihet ligjërisht. Përfaqësues të kësaj agjencie konfirmojnë se "janë të shumta dokumentet dhe verifikimet që bëhen deri në përmbylljen e këtij procesi, pra legalizimin e pronës, por aty nuk përfshihet sigurimi vullnetar apo i detyrueshëm i saj". Ndërsa lidhur me mungesën e sigurisë së banesave që presin të përfitojnë nga legalizimi apo që kanë marrë tashmë "tapitë", ata thonë se kanë vepruar në përputhje me ligjin dhe janë vetë qytetarët ata që duhet të tregojnë kujdes dhe t‘i dalin për zot pronës së tyre.

Pagesat

Tarifat janë thuajse standarde në të gjitha agjencitë private të sigurimeve. Pagesa vjetore që duhet të kryhet nga çdo individ për pronën e tij është në varësi të vlerës që ajo ka. Punonjësit e kompanive të sigurimeve sigurohen për vlerën e banesës, pasi njihen me gent-planin dhe vendndodhjen e saj. Ndërkohë që, pagesat vjetore kryesisht arrijnë në vlerën e 10 përqindëshit të totalit. Kështu, për një apartament në Tiranë, që kushton 70 mijë euro, për ta siguruar në një vit duhet të paguash një shumë prej 70 eurosh. Kompanitë e sigurimeve, aktualisht, ofrojnë paketa të ndryshme, por më të kërkuarat janë ato të sigurimit nga zjarri dhe tërmetet. Më të rregullt në "mbulimin" e pronës janë sipërmarrësit, kryesisht ata të mëdhenj, por edhe tregtarët e mesëm. Këta qëndrojnë në krye të listës për sa i përket sigurimit të pronës. Nisur kjo edhe nga problematikat e herëpashershme me të cilat përballen në dëmtimin e saj, si nga shkëndijat elektrike apo sikundër ndodhi me rastin e Gërdecit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›