E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha "shtyp" butonin, por dritat vijnë pas 10 vitesh

Në mes të asgjësë, dy male artificiale zhavorri kanë qëndruar në heshtje që nga dita kur ra komunizmi, 20 vite më parë. Vendi quhet Banjë. Një hidrocentral nisi të ndërtohej aty në mes të viteve ‘80, por puna u ndërpre pas shpërbërjes së përgjithshme ekonomike të vitit 1991.

Dje, mes vapës së lodhshme, disa qindra vetë u grumbulluan me shtatë autobusë dhe duzina makina, organizuar nga grupet elektorale të Partisë Demokratike në zonë. Gati gjysma ishin fëmijë me pantallona të shkurtra. Gjysma tjetër përbëhej nga turmat e militantëve të panjohur të fushatave elektorale shqiptare. Ishin goxha, po të merret parasysh se qenë marrë nga 30-40 kilometra larg thjesht për të ofruar entuziazëm, për një ngjarje, të cilën shumica e tyre nuk e kuptonte.

Drejtorët e dy korporatave të rëndësishme, të cilat e kanë xhiron vjetore më të madhe sesa të ardhurat e buxhetit të shtetit të Shqipërisë, zbritën në Banjë me avionin e mëngjesit nga Vjena.

"Tani, i jap fjalën z. Erwin Pröll, guvernator i Austrisë së Poshtme", - u shpreh moderatori, ndërsa turma e mitingashëve iu përgjigj: "Sali Berisha, Sali Berisha!"

"Ju premtoj që Kryeministri Berisha do të flasë pas pak, por tani më lejoni t‘i jap një pritje të ngrohtë z. Pröll", - vijoi moderatori. Por populli nuk dëgjonte nga ajo anë.

"Erdha këtu me një shok se më thanë se ka ‘Coca Cola‘ dhe qofte falas", tha një dhjetëvjeçar mitingash.

Pas fjalimeve përshëndetëse, Kryeministri shtypi një buton të kuq, i cili vuri në punë një sondë të vogël. Pastaj ekspozoi edhe mbi makinën e sondës dhe i dha fund mitingut. Brenda pak minutash, mitingashët hipën në autobusë, stendat u hoqën dhe tre kamionë të rëndë ikën gjetkë. Fusha u zbraz përsëri dhe malet e zhavorrit iu rikthyen qetësisë.

Projekti

Kompania austriake EVN dhe ajo norvegjeze "Statkraft" kanë marrë me koncesion të gjithë rrjedhën e sipërme të lumit Devoll, nga fusha e Korçës deri në afërsi të Cërrikut, gjithsej rreth 60 kilometra, ku kanë ndër mend të ndërtojnë një sistem kompleks maganizimi uji dhe tre hidrocentrale, me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 320 megavatesh dhe me vlerë investimi prej 1 miliard eurosh. Energjia e prodhuar nga ky projekt do të mbërrijë në shtëpitë e shqiptarëve rreth vitit 2017-2019.

Ndërkohë, konsumi i energjisë do të jetë dyfishuar në Shqipëri. Kontrata koncesionare parashikon detyrimin e KESH-it për ta blerë energjinë e prodhuar nga kaskada e Devollit për 35 vitet e ardhshme. Ekspertët thonë se projekti është me të vërtetë interesant nga pikëpamja inxhinierike, por natyrisht nuk e zgjidh problemin me deficitin kombëtar të energjisë elektrike. Tre hidrocentralet do të prodhojnë 1 miliard kWh energji në vit, por kur projekti të përfundojë, konsumi i energjisë në vend parashikohet të jetë rritur në 12 miliardë kWh.

"Projekti ynë është i përshtatshëm për koordinimin e prodhimit të energjisë hidro me energjinë e erës apo me atë diellore", - tha pas ceremonisë drejtori i përgjithshëm i EVN, Burkhard Hofer. Por për të arritur eficencë të plotë në Devoll, koncesionmarrësit kanë nevojë për liberalizim të shpejtë të tregut të energjisë elektrike në rajonin e Ballkanit. Vendet e rajonit kanë marrë angazhim politik për liberalizimin, por deri më sot, pothuajse asgjë nuk është bërë në praktikë.

Përurimi

Dy kompanitë koncesionare e kishin të qartë se po merrnin pjesë në një përurim elektoral

"Puna aktuale e ndërtimit fillon vetëm pas një planifikimi të detajuar, të përfunduar dhe të miratuar nga autoritetet shqiptare dhe pasi t‘i jenë dhënë të gjitha lejet dhe licencat e kërkuara projektit të Devollit", - thanë EVN dhe "Statkraft" në një deklaratë të përbashkët mbi aktivitetin. "Fillimi i punës kryesore të ndërtimit varet në studimet e paraprake dhe zgjatjen e procesit të marrjes së lejeve dhe licencave", - vijon deklarata.

Vetë kontrata koncesionare, thotë se EVN/Statkraft ka 24 muaj afat nga data e miratimit të lejeve për të përgatitur projektin përfundimtar, ndërsa ky afat ka filluar zyrtarisht vetëm pak muaj më parë.

"Kjo është një nga ngjarjet më madhore në historinë e këtij vendi", - u shpreh Kryeministri Berisha. "Ne sot kryesojmë rritjen ekonomike në Europë, [...] sot ne hedhim themelet e shndërrimit të këtij vendi në një superfuqi energjetike, Shqipëria do të jetë 1-shi në Europë për investimet e huaja", vijoi ai, duke mos kursyer kritika kundër Dante Aligerit. "Dante Aligeri do të shkruante dikur se nuk ka gjë më të rëndë të kujtosh kohërat e mira në kohë të vështira. Unë do të thosha se nuk ka gjë më të mirë se të kujtosh kohëra të mira kur je në vështirësi dhe t‘i ndërtosh ato", - vijoi më tej Kryeministri. Gjatë së gjithë kohës, turma e mitingashëve recitonte bejte në lavdërim të tij.

Rrjeti i hidrocentraleve

Shqipëria ka nënshkruar apo ka në plan të nënshkruajë kontrata koncesionare për të gjitha vendet ku mund të ndërtohen hidrocentrale. Në disa raste, dhënia me koncesion i burimeve ujore ka sjellë ripërshtatjen e projekteve sipas interesave të sipërmarrësve, gjë që ka sjellë reduktimin e vlerës strategjike të tyre në rrjetin kombëtar të energjisë. Shqipëria ka ende pjesën më të madhe të burimeve ujore të pashfrytëzuara për prodhim energjie elektrike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›