Surroi: Në Gjirokastër merr kuptim dialogu kulturor
Dialogu ndërmjet kulturave dhe qytetërimeve të ndryshme është një proces që i ka rrënjët në lashtësi, që ka shoqëruar njerëzit në të gjitha etapat e historisë së njerëzimit dhe që është një proces në vazhdim me një dimension botëror, i cili vazhdon të kontribuojë për krijimin e besimit në nivelin vendor, rajonal dhe ndërkombëtar. Ky ishte mesazhi që përcolli forumi që u mbajt në Gjirokastër, me iniciativë të përbashkët të "Helsinky Citizens Assembly", shoqatës franko-shqiptare "Argjiri" dhe "Courrier des Balkans". Forumi ndërkombëtar me dhe për të rinjtë, me temë "Dialogu i kulturave dhe roli i kulturës dhe i artit në Evropën Juglindore", pati në panelin e tij një grup përfaqësuesish nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Rusia, Serbia dhe Franca. Në rolin e drejtueses së këtij forumi, znj. Ilda Mara, presidente e shoqatës kulturore "Argjiro", ftoi pjesëtarët e tjerë të panelit, studiuesin francez Bernard Dreano, përfaqësues i "Helsinky Citizens Assembly" në Paris, politologun dhe publicistin e njohur kosovar Veton Surroi, drejtorin e Qendrës së Studimeve Shqiptaro-Amerikane Mal Berisha, drejtorin e Parkut Arkeologjik të Antigonesë, Engjëll Serjani, filozofin kosovar Shkëlzen Maliqi dhe muzikantin e njohur dhe njëkohësisht përfaqësues i grupit muzikor klasik, "Syri Blu", Pjetër Guralumi. Ata paraqitën mendimet e tyre rreth temës "Dialogu i kulturave dhe roli i kulturës dhe artit në Evropën Juglindore". Veton Surroi tha se Gjirokastra është vendi ideal për të diskutuar rreth temës së dialogut kulturor. "Për shkak të shtresëzimit të kulturave dhe bashkëjetesës së komuniteteve e etnive të ndryshme, këtu është vendi ku ky lloj dialogu merr kuptim më të plotë", tha ai. Europa, u theksua në këtë forum, është një komunitet ku kufijtë nuk janë simbolikë dhe njerëzit e saj jetojnë të bashkuar. Në një të ardhme, kjo duhet të jetë e vlefshme edhe për Ballkanin Perëndimor. Arti dhe kultura mund të ndihmojnë në rrugën e integrimit, gjithmonë duke reaguar kundrejt si ndaj identiteteve, ashtu edhe ndaj globalizimit.