E Diel, 1 Nëntor 2026

Ankohen pensionistët: Ilaçet me rimbursim s‘na bëjnë efekt

Lista e re e barnave u fol të kishte ilaçe të reja, të mira, eficente dhe mbi të gjitha që përmblidhte brenda rimbursimit kategorinë e moshës së tretë. Në fakt, sindikata e pensionistëve edhe pas 4 vjetësh ka përsëri objeksione për sa i takon listës së barnave me rimbursim. Jo vetëm që nuk janë të kënaqur nga kjo listë, por kërkojnë të rikthehen në të kaluarën në vitin 2005, atëherë kur ishin më shumë se të kënaqur si nga lista e barnave, ashtu edhe nga cilësia e tyre.

"Lista e re e barnave nuk na është dhënë në variant të printuar, madje akoma se kemi parë as në farmaci, por cilësia e barnave lë për të dëshiruar. Dua të them që kjo listë duket se ka më shumë barna, sikur zgjeron gamën e tyre, por në fakt ato janë ilaçe të blera në Lindje, jocilësore që nuk na trajtojnë problemet tona", tha Isa Gorica, kreu i sindikatës së pensionistëve. Sipas tij, këto ilaçe nuk kanë efekte mbi sëmundjet e pensionistëve dhe në të tilla kushte, ata detyrohen të blejnë jashtë liste, me çmime më të larta, për të trajtuar problemet e tyre shëndetësore.

Mosha e tretë

Pensionistët janë mosha që ka më shumë probleme me shëndetin. kryesisht vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, nga problemet respiratore, veshkat, prostata, diabeti, sëmundjet e sistemit nervor. Për të gjitha këto kategori, skema e sigurimeve shëndetësore ka mundësuar një listë ilaçesh me rimbursim, për t‘i ardhur në ndihmë popullatës në përgjithësi dhe moshës së tretë në veçanti. Por ajo për të katërtin vit radhazi nuk përkrahet nga mosha e tretë, madje përfaqësuesit e sindikatës së pensionistëve janë tepër të indinjuar që nuk janë konsultuar për kërkesat e tyre dhe për miratimin e listës së re.

"Janë qindra pensionistë, të cilët blejnë jashtë skemës së rimbursimit, ose shkojnë dhe bëjnë analizat në klinikat private, pasi shërbimi publik ka mungesa në infrastrukturë dhe në pajisje. Por, ka qindra pensionistë, të cilët blejnë ilaçe me listë, ashtu siç blejnë dhe ushqimet, vajin, orizin, sheqerin", sqaron kreu i sindikatës, Gorica.

Tashmë që ndodhemi në fushatë zgjedhore, ata kanë nënvizuar me laps të kuq të gjitha kërkesat që kanë për koalicionet, në mënyrë që pensionistët të votojnë alternativën e tyre.

Transport interurban falas, rroga e 13-të, rimbursim të disa analizave, ilaçe cilësore të rimbursuara, si dhe pjesëmarrje në bërjen e politikave për moshën e tretë. Të gjitha këto kërkesa janë në listën e prioriteteve për pensionistët. Por se cila parti do t‘u premtojë atyre realizim të kërkesave ende nuk dihet...

Lista e barnave

Hyn në fuqi lista e re e barnave me rimbursim. Blloku i ri i medikamenteve për disa kategori pacientësh është në fazë shpërndarjeje në të gjithë vendin. Farmacitë kryesore janë pajisur me librin e ri të ilaçeve me rimbursim, ndërkohë që këto kohë farmacistët kanë marrë dhe informacion për formë-dozat, klauzolat dhe rimbursimin e barnave për secilën kategori.

Lista e barnave 2009 është pasuruar me 31 barna të reja, 74 alternativa tregtare barnash. Ajo përmban 405 barna që janë 233 principe aktive apo 944 alternativa tregtare.

Fatura financiare për 405 barnat që do të ketë lista e vitit 2009 parashikohet të jetë 4.7 miliardë lekë të reja. Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, Elvana Hana, kjo listë ka barna mjaft të shtrenjta, por mbi të gjitha me to do të trajtohen pacientë me sëmundje të rënda, barnat për trajtimin e të cilave futen për herë të parë në listën e rimbursimit, sikurse janë leucemia, infeksionet post-transplant.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›