E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Nënë Tereza" për Al Bano Karrizin

Kantautori i njohur italian, Al Bano Karrizi, u dekorua dje nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me urdhrin e lartë "Nënë Tereza", gjatë një ceremonie të zhvilluar në Pallatin e Brigadave. Me motivacionin: "Personalitetit të shquar të muzikës italiane, që me artin dhe talentin e tij të rrallë evidentoi dhe përçoi te publiku vlerat e mëdha të humanizmit, lirisë dhe të një shoqërie më të drejtë, mikut të çmuar të Shqipërisë dhe shqiptarëve, dashuria për të cilët u bë pjesë e jetës së tij", kreu i shtetit dekoroi këngëtarin italian. Al Bano u shpreh mirënjohës për vlerësimin, ndërsa ka shtuar se ka qenë dëshmitar i një ndryshimi pozitiv në Shqipëri. "Për mua është më e lehtë të këndoj se të flas, mbi të gjitha pasi dëgjova motivacionin e këtij takimi emocionues. Për Shqipërinë kam dëgjuar qëkurse isha i vogël, e më pas kuptova se më parë vinte Shqipëria (‘Albania‘) e pastaj Al Bano", u shpreh Karrizi. Ai ka kujtuar mes emocionesh vizitën e tij të parë në Shqipëri, për koncertin e dhënë në stadiumin e Tiranës dhe Pallatin e Kongreseve në vitin 1989. Duke shprehur konsideratat më të larta për popullin shqiptar, Al Bano Karrizi theksoi se Shqipëria zë një vend shumë të veçantë në jetën dhe historinë e familjes së tij. Gjatë ceremonisë, Presidenti Topi zbuloi dhuratën simbolike kushtuar këngëtarit italian. Bëhet fjalë për një bust me figurën e vetë këngëtarit, vepër të cilën e ka punuar skulptori Skënder Tena.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›