Fyerjet ndaj Ballës, deputetët socialistë bojkotojnë Topallin
Festa për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO po vijon të stërzgjatet nga krerët e maxhorancës, të cilët kanë shfaqur qartë tendencën e tyre për të privatizuar këtë arrije të popullit shqiptar. Në këtë kuadër, edhe dje, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka organizuar një drekë festive me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Në këtë drekë Topalli ka ftuar edhe deputetë të opozitës, si ish-kryeministrin Pandeli Majko dhe ish-ministrin e Ekonomisë, Arben Malasj. Por deputetët socialistë, të irrituar nga sjelljet e Topallit gjatë kësaj periudhe, kanë vendosur që të refuzojnë ftesën dhe të mos marrin pjesë në këtë ceremoni. Sipas deputetëve socialistë, arsyeja e bojkotimit të këtij aktiviteti ka lidhje me sjelljen e Topallit, e cila, sipas tyre, gjatë kësaj periudhe ka cenuar rëndë dinjitetin e deputetëve dhe të vetë Kuvendit. Bojkotimi i deputetëve socialistë ka marrë shkas nga fyerjet që Topalli ka bërë në drejtim të kolegut të tyre, Taulant Balla, gjatë seancës së dy ditëve më parë. Topalli ka fyer rëndë deputetin Balla, me fjalor rrugësh dhe kjo ka sjellë pakënaqësinë e deputetëve socialistë, Malaj dhe Majko. “Zonja Topalli nuk meriton respektin tonë për aq kohë sa me sjelljen dhe fyerjet e saj po cenon imazhin dhe dinjitetin
e Kuvendit", - deklaroi deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj.
Nuk është hera e parë që kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli është bërë protagoniste e incidenteve të ndodhura në sallën e Kuvendit. Deputetët socialistë, në mënyrë të vazhdueshme kanë shprehur pakënaqësinë për fjalorin dhe sjelljen e kryeparlamentares. Madje, për këtë arsye, ata kanë depozituar tre vjet më parë mocionin për shkarkimin e saj.
11 Prill 2009