Berisha takim me Papën, Kongresi i PD në 14 dhjetor
adi shkembi
Kongresi i Partisë Demokratike, i parashikuar të mbahej në 12 dhjetor, ditën e themelimit të kësaj partie, është shtyrë për dy ditë më vonë.
Burime nga PD-ja bëjnë të ditur për gazetën se ky spostim, me 48 orë i mbledhjes së forumit që do të rizgjedhë Berishën edhe për katër vite të tjera në krye të kësaj partie, ka ardhur për shkak të agjendës së Kryeministrit. Berisha do të marrë pjesë në 12 dhjetor në një audiencë në Vatikan me Papa Benediktin XVI, çka ka bërë të pamundur mbajtjen e Kongresit në këtë datë. Lajmin e shtyrjes së tij, e bëri të ditur vetë kryeministri Berisha dy ditë më parë në një intervistë televizive, por pa e saktësuar agjendën apo edhe datën se kur do të mbahej. “Së pari, më duhet të korrigjoj datën, kryesia ka vendosur të mblidhej në datën 12, por mund të ketë një shtyrje date për shkak të një obligimi madhor timin, megjithatë do ta shqyrtoj. Data 12 nuk mund të jetë. Përsa i përket kërkesave të tjera, ky kongres mblidhet me kurorën e fitores, u mblodh para zgjedhjeve për të shpalosur programin e Shqipërisë Evropiane, mblidhet pas zgjedhjeve si kurorë fitoreje”, u shpreh kreu i qeverisë. Prej disa javësh dy grupe pune po bëjnë analizën pas zgjedhore dhe ndryshimet në statut, të cilat do ti paraqiten kongresit. Megjithëse ky forum do të mblidhet për të zgjedhur kryetarin, në këtë pikë nuk pritet të ketë asnjë dilemë, pasi Berisha do të votëbesohet edhe për një mandat tjetër. Pika më interesante pritet të jetë ajo që ka të bëjë me ndarjen e posteve. Disa prej anëtarëve të kryesisë së PD-së janë shprehur pro ndarjes së disa prej posteve partiake nga ato qeveritare, ndërkohë që ende nuk ka një qëndrim nga ana e kryeministrit. Sipas statutit të PD-së, Kuvendi përbëhet nga anëtarë të zgjedhur nga kuvendet e nëndegëve, në përputhje me numrin e përcaktuar nga Këshilli Kombëtar dhe që bazohet 50% në numrin e anëtarësisë së nëndegës, dy muaj para datës së Kuvendit dhe 50% në votat e marra në zgjedhjet e fundit parlamentare; anëtarët e Këshillit Kombëtar; deputetët e PD; anëtarët e Komisionit Qendror të Apelimit; sekretarët funksionalë të Partisë; kryetarët e bashkive te kategorisë së parë dhe kryetarët e qarqeve, koordinatorët tematikë të Komitetit të Orientimit të Politikave; një numër i kufizuar përfaqësuesish të organizatave partnere.