Bode: Rama dhunoi gruan në mënyrë publike, s’ndjen dhimbje
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode akuzoi dje nga qyteti i Pogradecit kreun e PS-së, Edi Rama. Sipas tij kryesocialisti po përdor familjet shqiptare për interesat e tij personale. “Edvin Rama shikon familjet shqiptare kombin shqiptar thjesht si shërbëtore të interesave të tij personale. Njeriu që nuk ka familje, njeriu që dhunon gruan në mënyrë publike, e zhvesh lakuriq nëpër plazhet e botës, njeriu që akuzon gruan e parë se fëmijën e vet e ka me të atin, njeriu që s’ka mundur dot kurrë të ngrejë familje për veten e tij, nuk mund të mirëkuptojë, nuk mund të ndjejë dhimbjen e mijëra familjeve shqiptare të ndara përgjysmë dhe që një ditë kërkojnë të bashkohen të përafrohen me njeri-tjetrin”, tha Bode. Ndërsa kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi tha se shqiptarët 28 nëntori i gjen si anëtarë të NATO-s dhe fare pranë heqjes së vizave me vendet e BE-së. “Ne i themi kësaj mendjeje të sëmurë se Shqipërinë dhe shqiptarët ky 28 nëntor nuk i gjen në një moment dramatik dhe delikat, por duke përjetuar lajme dhe ngjarje të mëdha për të ardhmen e tyre. Shqiptarët janë sot anëtarë të NATO-s. Ata brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm do të lëvizin të lirë dhe pa viza në hapësirën Shengen, dhe shumë shpejt do të bëhen qytetarë të Bashkimit Evropian”, theksoi nënkryetari i PD-së.
Gjermeni: Topalli nuk foli me gjuhën e gruas
Deputetja socialiste e qarkut Tiranë, Eglantina Gjermeni, i cilësoi deklaratat e kryeparlamentares Topalli si trazim të shpirtrave të të gjitha grave. “Zonja Topalli ka trazuar dje shpirtrat e të gjithave grave, (jam e bindur se jo vetëm të grave) pavarësisht bindjeve politike, kur tha se e vetmja vërejtje që kishte për fjalimin e dhunshëm të Kryeministrit, ishte - që ai fjalim nuk qe mbajtur më parë. Kryeministri cenoi në një fjalim të vetëm, gjyshe, nëna, gra, e vajza, duke i dhunuar ato pikërisht në Ditët kundër Dhunës Gjinore, këto ditë që përkujtohen në mbarë botën, duke e konsideruar këtë dhunë si shkelje të të drejtave të njeriut. Mjafton kaq, për të kuptuar se angazhimi i kryeparlamentares kundër dhunës ndaj grave nuk është një përpjekje reale, për ta parandaluar edhe luftuar këtë dhunë”, u shpreh Gjermeni.
Dogjani: Berisha i turpëroi veriorët
Deputeti socialist Asllan Dogjani gjatë një konference për shtyp në selinë e PS-së tha se Kryeministri Berisha me gjuhën e përdorur në deklaratat e tij të fundit, ka turpëruar veriorët dhe gjithë shqiptarët. “Sali Berisha i ka turpëruar shqiptarët. Gjuha e urrejtjes që Sali Berisha përdori, nuk është gjuha e shqiptarëve. Sali Berisha me gjuhën e urrejtjes që përdori në një ditë të paqes shpirtërore, i turpëroi të gjithë shqiptarët, por më shumë na turpëroi ne qytetarëve të Qarkut të Kukës, malësorët e mençur të Kukësit, Tropojës dhe Hasit, që gjuhën e urrejtjes e kanë refuzuar jetë e mot”, u shpreh deputeti socialist i qarkut Kukës. Sipas tij, turpet që dëgjuam të dilnin nga goja e Sali Berishës nuk përfaqësojnë kulturën e shqiptarëve, as zakonet e malësorëve, as traditën veriore”.