E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, Rama shkel protokollin

 

Vlorë/ Qemal Biraku
Kryetari socialist Edi Rama shkel protokollin gjatë festimeve në Vlorë me rastin e 97 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Në momentin kur të pranishmit ishin të rreshtuar përpara varrit të Ismail Qemalit për të vendosur kurorat, Rama dhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, kanë nxituar të vendosin kurorën e tyre, përpara përfaqësuesve të qeverisjes qendrore, sipas protokollit, që në këtë ceremoni përfaqësoheshin nga zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta, Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili dhe prefekti i Vlorës, Hasan Halili.
Ky veprim i kryetarit të PS-së nuk ka kaluar pa reagime, ku përfaqësues të Pushtetit Lokal dhe qytetarë të Vlorës e kanë cilësuar si shkelje të protokollit të aktivitetit. Pasi kanë qëndruar disa minuta para varrit të patriotit Ismail Qemali, politikanët janë larguar sipas programeve të përcaktuara më parë prej tyre. Ky moment ishte epilogu i prezencës së dy kundërshtarëve tashmë politikë, Meta e Rama, në të njëjtën ceremoni dhe në të njëjtën orë në qytetin e Vlorës. Ata nuk kanë pasur asnjë shkëmbim protokollar sado formal mes tyre, ndërsa kanë qenë në pak metra distancë nga njëri-tjetri.
Ceremonitë
Festa e Pavarësisë në Vlorë mblodhi dje në shesh përfaqësues nga të gjitha forcat politike, ndërsa prezent në shesh kanë qenë edhe shumë qytetarë. Meta është shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili, ndërkohë që kurorën me lule pranë varrit të Ismail Qemalit e ka vendosur me prefektin e Vlorës, Hasan Halili. Kryebashkiaku Gjika e ka vendosur kurorën me lule së bashku me shefin e opozitës Edi Rama. Kurora kanë vendosur dhe deputetët, Ardian Kollozi PD, si dhe Dashamir Tahiri PDU, si dhe autoritetet lokale. Pas homazheve, autoritetet janë ndalur te obelisku i flamurit, ku kanë bërë një tjetër nderim aty, për të vijuar më pas të ndarë, ku përfaqësues të PD janë ngjitur në varrezat e dëshmorëve. Prania e shefit të opozitës në sheshin e Flamurit ka nxitur reagimet e spektrit të djathtë, ku kreu lokal i PD-së të Vlorës, Ardian Kollozi, e ka quajtur pjesëmarrjen e Ramës në shesh, një shfaqje të turpshme. “Vlora nuk mund të përdoret, tha ai, ashtu sikurse ka ndodhur më parë, ndaj kjo ishte thjesht maskarada e radhës e Ramës, unë i bëj thirrje Ramës të heqë duart nga Vlora”. Përfaqësuesit e koalicionit të djathtë kanë vijuar më pas të ecin në këmbë nga sheshi i Flamurit përgjatë rrugës kryesore Vlorës Skelë dhe më pas kanë kryer sëbashku vizita në muzeun e pavarësisë. Zv.kryeministri shqiptar Ilir Meta ka zgjedhur muzeun e pavarësisë për deklaratën e tij. Ndër të tjera Meta tha se “sot është një ditë e bukur dhe na bën të ndihemi krenarë, për sakrificat që i kanë dhënë emrin kësaj dite, e cila sot është edhe më e pasur se një vit më parë. Shqipëria është sot pjesë e NATO dhe po ecën e sigurt drejt anëtarësimit evropian. Është një ditë kur feston jo vetëm Shqipëria, por i gjithë kombi, pasi feston edhe Kosova dhe në themel të arritjeve qëndron sakrifica e popullit shqiptar, e për këtë nderojmë plakun e urtë dhe të mençur Ismail Qemali”. Aktivitetet e djeshme në sheshin e Flamurit kanë vijuar me koncerte të organizuara nga qendra kulturore e Bashkisë Vlorë, aktivitete që do të vijojnë edhe në ditën e sotme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›