E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krerët e shtetit festojnë 28 nëntorin

 

ADI SHKEMBI
Krerët e shtetit festojnë në të njëjtën ditë festën e Pavarësisë dhe të Çlirimit. Presidenti Bamir Topi, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kryeministri Sali Berisha kanë vendosur kurora me lule në Varrezat e Dëshmorëve.

 Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe anëtarë të kabinetit qeveritar si dhe pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve. Në fjalën e tij para mediave, kreu i shtetit tha se 28 nëntori është dita kur nderohet vepra e atyre që luftuan për pavarësinë dhe identitetin e kombit shqiptar. “Sot kemi rastin që të rikthejmë në memorien tonë më shumë se kurrë veprën e lavdishme të të gjithë atdhetarëve, patriotëve, të cilët bënë të mundur që të luftohej pa e ndërprerë asnjë moment aktivitetin e tyre, për mbijetesën e shtetit shqiptar, për identitetin e tij dhe kuptohet pas kaq vitesh, ne kemi një Shqipëri jo vetëm me një identitet të qartë, por një vend anëtar të NATO-s dhe së shpejti një vend të Bashkimit Evropian. Besoj që kjo është një ditë, e cila na lejon që t’i rikthehemi së kaluarës, por më shumë t’i kthehemi së ardhmes sonë”, u shpreh Presidenti. Ndërsa për kryeministrin Sali Berisha 28 nëntori është dita e nderimit të Ismail Qemalit dhe burrave të mëdhenj të kombit, që themeluan Shqipërinë e pavarur. “Sot është dita e nderimit të madh dhe përuljes me nderimin më të madh ndaj qindra e mijëra luftëtarëve shqiptarë, në veçanti, të kryengritjeve gjigande të Kosovës, të cilat tronditën përfundimisht të sëmurin e Bosforit dhe bënë të mundur pavarësisë e Shqipërisë”, tha Kryeministri. “Ata të cilët shkelmuan idealet e tyre dhe vendosën në Shqipërinë e pasluftës regjimin më barbar që kohërat kanë njohur, kanë përfunduar në koshin e plehrave të historisë, ndërsa luftëtarët e lirisë, shokët e shoqet e tyre që u martirizuan në luftë, janë dhe do të mbeten të nderuar për jetë, për sakrificën dhe kontributin e tyre”, vijoi më tej kreu i ekzekutivit. Në të njëjtën kohë sipas kryeministrit një tjetër datë për tu kremtuar është edhe 8 dhjetori, disa e lëvizjes studentore. “8 dhjetori ishte dita tjetër e madhe e lirisë, e cila bëri të mundur që ne të rifitojmë lirinë, dinjitetin, dita që shembi Murin e Berlinit në Tiranë, dita që hapi dyert e një marshimi fitimtar të shqiptarëve drejt NATO-s, drejt BE-së, drejt një të ardhmeje të shkëlqyer. Zoti e bekoftë flamurin dhe kombin tonë”, theksoi kreu i maxhorancës. Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli mori pjesë në ekspozitën e hapur në mjediset e ish muzeut të Enver Hoxhës, ku u shfaqën dokumente dhe imazhe të pa publikuara më parë. Kryetarja e Kuvendit e cilësoi këtë aktivitet artistik si rrëfimin më të veçantë që është bërë ndonjëherë gjatë këtyre viteve, për ditën e Flamurit. “Më 28 Nëntor 2009 ne nderojmë sakrificën e virtytin e bijve të shqipes, kujtojmë 28 Nëntorin 1443, 28 Nëntorin 1912 e deri  më sot, për të ardhur në përvjetorin e këtij viti. Një vit përpara kur kujtonim dhe festonim 28 Nëntorin, ditën e Flamurit, Shqipëria nuk ishte anëtare e NATO-s, sot Shqipëria është anëtare e Nato-s. Në 28 Nëntor 2008, Shqipëria nuk kishte OK për kërkesën e saj për statusin e vendit kandidat, sot në 28 Nëntor 2009, Shqipëria është pranuar në kërkesën e saj”, theksoi Topalli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›