Topi: Qeveria e opozita t’i përvishen punës në Parlament
Presidenti Bamir Topi ka dhënë dje një pritje në Pallatin e Brigadave me rastin e 28 Nëntorit. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, Kryetari i PS-së, Edi Rama, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë dhe përfaqësues të komuniteteve fetare. Pasi vlerësoi 28 Nëntorin si ditën që bashkoi të gjithë shqiptarët rreth çështjes shqiptare, ai i bëri apel sërish klasës politike për t’iu rikthyer dialogut dhe bashkëpunimit në Parlament. “Përveç përpos urimeve do të uroja që të kishim një Kuvend ku sa Qeveria, aq edhe opozita t’i përvisheshin punës për të ballafaquar opsionet e tyre politike në të mirë dhe në interes të vendit dhe të qytetarëve të tij”, u shpreh kreu i shtetit. Topi bëri thirrje gjithashtu për pjekuri politike për të mbyllur përfundimisht kapitullin e tranzicionit politik. “Sot është ditë feste, por ajo mund të jetë një ditë e rëndësishme për të menduar me ndërgjegje të pastër, me përgjegjësi kombëtare e me pjekuri politike dhe për t’iu rikthyer kujtesës dhe shembullit të atyre burrave të fisëm që më 28 Nëntor të vitit 1912 u mblodhën, luftuan dhe fituan Pavarësinë e Shqipërisë. Unë shprehem besimplotë se të gjithë shqiptarët e vërtetë mendojnë kështu dhe dëshirojmë që Shqipëria të mbyllë njëherë e përgjithmonë kapitullin e tranzicionit të saj politik”, theksoi më tej Topi.