E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, takim me Sarkozi në Francë

Kryeministri Berisha është nisur dje për një vizitë në Francë, me ftesë të Presidentit të Francës, Nikola Sarkozi. Kryeministri do të takohet në pallatin "Elize" me Presidentin Sarkozi. Gjithashtu, për nder të Kryeministrit Berisha, është organizuar një konferencë në Paris nga MEDEF (Mouvement d‘Entreprises de France) ku mbi 30 përfaqësues të kompanive dhe grupeve bankare dhe financiare më të rëndësishme të Francës kanë shprehur interes të madh për t‘u njohur gjerësisht dhe më nga afër me ecurinë e reformave në Shqipëri, ekonominë shqiptare dhe potencialet e saj.

Në vazhdim të kësaj vizite, Kryeministri Berisha do të zhvillojë dhe një takim me ministrin e Jashtëm të Francës, zotin Bernard Kushner, i cili do të shtrojë për Kryeministrin Berisha dhe një drekë zyrtare. Pak para se të nisej drejt Francës, Kryeministri ka pritur në zyrën e tij ministren e Shtetit për Mbrojtjen dhe Sigurinë Ndërkombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Baroneshën Uinfrid An Taylor. Gjatë takimit, Kryeministri kërkoi që Britania e Madhe të sjellë në Shqipëri sa më shumë vëzhgues për të monitoruar procesin e zgjedhjeve. "Qeveria shqiptare po pajis qytetarët me dokumente identifikimi më të sigurtat në Evropë, bazuar mbi një regjistër elektronik themeltar të shtetasve, si dhe ka krijuar lehtësitë më të mëdha për të gjitha shtresat në nevojë për pajisjen me këto karta", tha Berisha.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›