E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Do përgjysmojmë TVSH për 12 produkte bazë

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, prezantoi dje strategjinë e kësaj partie për të siguruar uljen e çmimeve, pasi koalicioni i majtë të vijë në pushtet. Meta premtoi se do të përgjysmojë TVSH-në për 12 produkte bazë ushqimore që do të ndikojnë në uljen e çmimeve. Gjatë një takimi me biznesmenë të vegjël dhe të mesëm në tregun ushqimor në kryeqytet, Meta i bëri apel qeverisë dhe pushtetit vendor për të riparë dhe njëherë taksat që paguajnë tregtarët, sikurse janë "taksa e tabelës" apo "taksa e gjelbërimit". Meta u shpreh se gjatë këtyre takimeve dhe shkëmbimeve të mendimeve që ka zhvilluar me biznesmenë të vegjël dhe të mesëm, është më se e qartë që gjendja e këtyre bizneseve është shumë e vështirë dhe po rëndohet nga dita në ditë, jo vetëm për shkak të rënies ekonomike dhe fuqisë blerëse, por njëkohësisht dhe për arsye të rritjes së taksave të ndryshme të cilat shpesh duken dhe pa kuptim. "Ju vetë po e shikoni sot se këtu ka ambiente 5 apo 6 metra katrorë që paguajnë 140 mijë lekë taksë tabele dhe tabelë nuk ka askund, apo që paguajnë 280 mijë lekë taksë gjelbërimi dhe gjelbërim nuk ka asnjë pëllëmbë", tha kreu i LSI-së. Meta shtoi se xhiroja e bizneseve bie çdo ditë, fuqia blerëse bie dhe ndërkohë që shumë prej këtyre biznesmenëve apo tregtarëve nuk arrijnë dot as të dalin pa humbje. Kreu i LSI theksoi se, problemi i ushqimeve në përgjithësi është një problem serioz në këto momente dhe kur bie dhe konsumi për ushqimet, shtoi më tej ai, kjo do të thotë që varfëria ka trokitur thellë në familjet shqiptare. Duke pasur rastin për të shpalosur disa nga pikat e programit të LSI, ish-kryeministri Meta nënvizoi se, "ne jemi të vendosur për të përgjysmuar TVSH për 12 produkte bazë ushqimore, me qëllim që të kontribuojmë për uljen e çmimit të ushqimeve dhe njëkohësisht për të ndihmuar sadopak familjet shqiptare, të cilat kanë sot probleme edhe me ushqimin e fëmijëve të tyre duke pasur një kosto sa më të vogël të këtij komponenti jetik". Dy ditë më parë, kreu i LSI-së zhvilloi një takim me tregtarët e tregut çam në kryeqytet duke u shprehur se biznesi ka nevojë për një klimë të re që të marrë veten nga kriza.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›