E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takim me delegacionin çek për Çështjet e Bashkimit Europian

Kryeministri Berisha priti sot në takim delegacionin e Komisionit për Çështjet me Bashkimin Europian, të Senatit çek, të kryesuar nga Kryetari i Komisionit, Ludek Sefzig dhe nënkryetari Alexander Vondra.
Senatoret çekë e uruan Kryeministrin Berisha për vendimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së për të shqyrtuar kërkesën për anëtarësim dhe dhënien e statusit të vendit kandidat, si dhe për ecurinë shumë të mirë në procesin e liberalizimit të vizave. Ata vlerësuan qeverinë shqiptare për reformat e ndërmarra rezultatet e të cilave i cilësuan impresionuese.
Duke u ndalur në situatën politike në Shqipëri, Senatorët çekë vlerësuan qendrimin e hapur dhe transparent të qeverisë dhe të Kryeministrit Berisha, për sa i përket kësaj çështjeje. Ata theksuan se kërkesa që bien ndesh me parimet themelore kushtetuese, siç është ndërhyrja dhe ndryshimi nga politika i vendimeve të gjyqësorit, janë të rrezikshme, dhe mund të shkatërrojnë shtyllat themelore të demokracisë së një vendi.
“Ata që vazhdojnë të sugjerojnë bojkotin, nuk e kanë idenë sesa i thellë është dëmi dhe impakti që kjo i shkakton Shqipërisë dhe imazhit të saj, ne veçanti, në kuadër të procesit të përafrimit me Bashkimin Europian”, i tha kryeministrit Berisha, Kryetari i Komisionit të senatit çek, Ludek Sefzig.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›