E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Për herë të parë kemi nivel papunësie nën 10%, pak më shumë se 300 mijë të punësuar plus

TIRANË, 2 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe kryetari i Partisë Socialiste zhvilloi sot një takim elektoral me mbështetësit e kësaj force politike në qarkun e Dibrës, ku i pranishëm ishte dhe drejtuesi politik i PS-së për këtë qark, Blendi Klosi.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se ishte vota e shqiptarëve në vitin 2013 që e shpëtoi Shqipërinë nga një humnerë e dytë e ngjashme me firmat piramidale, pasi e tillë ishte marrëdhënia që kishte shteti me financat.

“Nga viti 2005 deri në 2013-ën borxhi zyrtar ishte 70% e ca dhe një tjetër borxh të fshehur prej 700 e ca milionë euro. Ky ishte borxhi që i kishte qeveria të gjitha kompanive që i kishte kontraktuar për rrugët që i lanë rrugët, i bënë tenderat u thanë filloni dhe vazhdoni ju se jua kemi lekët. Por kompanitë e ndërprenë punën sepse furnitorët nuk merrnin paratë. Nuk furnizoheshin më spitalet me ilaçe se nuk i jepnin lekët, mbetën shkollat pa shkumësa se nuk merrnin lekët furnitorët. Kur në banka këta merrnin kredi dhe i fusnin nëpër punët që kishin me qeverinë, këta s’kishin çfarë u jepnin bankave, gati 25% kredi të këqija. Momenti i alarmit, vota e shqiptarëve në 2013 e ka shpëtuar këtë vend nga rënia në një humnerë si ajo e 97’-ës. Jo më për arsye të Sudes dhe Vebiut, por drejtpërdrejtë për shkak të qeverisë që u soll si Sudja dhe Vebiu me financat”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se Prodhimi i Përgjithshëm i vendit, gjithë vlera që vendi krijon, ka qenë më pak se 10 miliardë euro, sot është 25 miliardë euro. “Dy herë e gjysmë më e lartë dhe besojmë bazuar në projeksionet që bëjnë ekspertët tanë të Ministrisë së Financave dhe ata ndërkombëtare deri në 2030 do ta kemi 35 miliardë euro”, tha Kryeministri, teksa iu referua komenteve të analistëve në studiot televizive që, sipas tij, çfarë nuk sajojnë që të mos i japin asnjë lloj krediti PS dhe atyre që mbështesin PS.

Sipas kreut të qeverisë, nëse do i sillte koha të gjitha këto zhvillime, atëherë koha do kishte sjellë diçka të mirë edhe në periudhën e viteve 1992-1997, apo në vitet 2005-2013 te ekonomia, borxhi apo financat.

“Dhe ja ku jemi te pjesa që ka të bëjë me të ardhurat për frymë. 3 300 euro ishte kur morëm detyrën, e mbyllëm me 10 300 euro dhe deri në 2030 do arrijmë në 15 mijë euro të ardhura për frymë. Rrezikun e rënies në varfëri, e kemi pasur 24% e kemi sot nën 20%. Pabarazia në të ardhura në 2017 ishte 7.5%, sot e kemi nën 5% dhe kjo na rendit më afër mesatares së disa vendeve të BE-së”, tha ai.

“Papunësia zyrtare ishte 18%, sot për herë të parë kemi një nivel papunësie nën 10% dhe synimi ynë është që deri në 2030 nivelin e papunësisë ta çojmë në një numër një shifror. Kur ne morëm detyrën numri i të punësuarve në Shqipëri sipas regjistrit ku shkruhen të gjithë ata që janë të punësuar ku janë të gjitha pagat, ishte 1 milionë e 23 mijë të punësuar, në fund 2024 ishte 1 milion e 327 mijë, janë pak më shumë se 300 mijë plus”, vijoi Rama.

Kreu i ekzekutivit nënvizoi faktin se përqindja e të punësuarve me pagën nën 40 mijë lekë, ka qenë 59.9% kur PS mori detyrën, ndërsa në fund të vitit 2014 ishte 14%. Sipas Ramës, rritja e pagave do të vazhdojë, ndërsa u ndal te paga minimale që sipas Kryeministrit ka qenë 157 euro, e është aktualisht 400 euro dhe në janar të vitit të ardhshëm do shkojë në 500 euro.

“Paga mesatare e atyre që punojnë në shtet e privat ka qenë 322 euro, është sot 848 euro dhe në fund të mandatit katërt paga do shkojë paga në sektorin publik do shkojë 1200 euro”, pohoi Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›