E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Kontrata e lobimit të PD, dardhë që ka një bisht shumë të gjatë që do dalë mbrapa

TIRANË, 2 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetari i Partisë Socialiste komentoi sot kontratën e lobimit të “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” me kompaninë amerikane “Continental”.

Gjatë takimit elektoral në Burrel, ku Rama prezantoi investimet 10-vjeçare në qarkun Dibër, ai u ndal edhe te matematika që Basha e kishte 7×7 baras me 42, por tani, siç u shpreh ai, 7×7 janë plus gjashtë milionë. Sipas Ramës, “paratë janë të disa patriotëve që u ka lindur në zemër të luftojnë për Shqipërinë dhe të japin 6 milionë, po garant duan PD. Është një dardhë që ka një bisht shumë të gjatë që do dalë mbrapa”.

Kreu i qeverisë komentoi edhe rezultatet e sondazheve të dyta të sondazhistit të Donald Trump, që thonë se shumica e shqiptarëve mendojnë se vendi po shkon në drejtimin e duhur.

“Më lanë pa fjalë ata që ishin aty, kur ai nxirrte të dhënat e anketimet që shumica mendon që Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur këta hutoheshin dhe bëheshin keq. S’ka mundësi, është e pamundur, nxori tjetrën, shumica mbështet PS dhe filluan ta shpjegojnë dhe hynë në një garë që unë s’po e besoja. Ky sondazhisti është njeri serioz, por nëse kjo është e vërtetë populli është i sëmurë, tjetri thoshte populli është i çmendur, tjetri thoshte është i shitur dhe i blerë, tjetri thoshte kjo tregon që i ka hyrë frika deri në palcë. Askujt nuk i shkoi mendja të thoshte mos populli ka të drejtë, dhe ne rrimë përnatë nëpër këto berberhanet televizive dhe “qethim” dynjanë me llafe”, tha Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›