Rama: Në qarkun e Dibrës u investuan 643 milionë euro, 242 projekte të realizuara në infrastrukturë

TIRANË, 2 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste bëri të ditur sot se në 10 vjet në qarkun e Dibrës janë investuar në total 643 milionë euro.
Në një takim elektoral në qytetin e Burrelit, Kryeministri Rama prezantoi investimet 10-vjeçare në qarkun Dibër.
Duke u ndalur tek investimet në infrastrukturën rrugore, Kryeministri nënvizoi se qarqet e Dibrës dhe të Kukësit kanë qenë ndër qarqet më pak të financuara nga qeverisja e mëparshme edhe pse ia kanë dhënë më shumë mbështetjen dhe votën kënetën.
Rama tha se një nga bashkitë më të pafinancuara në të gjithë republikën ka qenë bashkia e Tropojës. “Kjo është më e bukura fare, hajde gjeje si funksionon logjika e bufit. Infrastruktura rrugore këtu ka qenë tmerr”, tha ai.
Ndërkohë kryeministri theksoi se numri i projekteve të bëra në infrastrukturë në qarkun Dibër është 242 me një vlerë totale prej 419 milionë euro.
“Kemi rrugë ose të asfaltuara ose rrugë të bardha që janë ndërtuar Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me bashkitë. Janë 348,5 km rrugë të investuara dhe këtu nuk hyn rruga Skuraj-Burrel që e morëm përsipër ta bëjmë”, shtoi Rama.
Duke u ndalur te rigjenerimi urban, Rama kujtoi se Burreli në kohën e PD-së ishte si fantazma e një qyteti të dikurshëm, ndërsa sot është qytet. Të gjitha projektet e rigjenerimit urban, sipas tij, kanë bërë që një energji pozitive të hyjë në të gjitha zonat urbane të qarkut dhe gjithë Shqipërinë dhe për këtë janë investuar 16 milionë euro vetëm në këtë qark.
Po ashtu, Rama theksoi se në qarkun e Dibrës janë 12 projekte për turizmin dhe mjedisin me një vlerë prej 11 milionë euro. “Zero ka qenë mbështetja në të tëra vitet përpara për turizëm e mjedis këtu”, tha ai.
Në ujësjellës-kanalizime, Rama bëri të ditur se ka 69 projekte me thuajse 100 milionë euro investim, që praktikisht kanë ndryshuar rrënjësisht situatën e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve.
Për sa i përket infrastrukturës energjetike, Rama nënvizoi se janë 36 projekte me vlerë financimi prej 45 milionë euro për të përmirësuar shpërndarjen dhe furnizimin me energji elektrike.
Në bujqësi, sipas tij, janë mbështetur 100 projekte me 27 milionë euro.
Në arsim dhe sport, Rama tha se janë 52 projekte në një vlerë totale prej 17.3 milionë euro për shkolla e palestra.
“Në kulturë kemi 18 projekte në vlerë 1.73 milionë euro. Nuk e di se sa vite duhet të numërosh mbrapsht para se të merrnim ne detyrën që ti bësh bashkë 1.73 milionë euro në këtë qark”, tha ai.
Shëndetësia dhe kujdesi social, sipas kryeministrit ka 21 projekte me vlerë 9 milionë euro
“Totali është 643 milionë euro të investuara në qarkun e Dibrës. Ju them me përgjegjësinë më të madhe duke pasur parasysh se shkollat apo ambulancat këtu të fundit fare janë ndërtuar në fillim të viteve ’70 dhe pastaj nuk ka pasur më ndërtime të reja, se jo në 25 vite para ardhjes sonë në detyrë por shtojini edhe 20 vjet të tjera, bëjeni 45 vjet dhe nuk janë investuar në gjithë këtë qark 643 milionë euro”, tha Kryeministri.
Por, Rama siguroi se “kjo nuk do të thotë se kemi mbaruar punë, përkundrazi prandaj na duhet mandati i katërt se ka akoma punë për t’u bërë dhe nuk kemi kujt t’ia lëmë punët”. /j.p/