E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, takime me Ali Ahmetin e Menduh Thaçin

Tiranë Kryeministri shqiptar, konsultime për situatën aktuale në Maqedoni

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka ftuar në takime të ndara dy liderët e partive shqiptare, Ali Ahmetin e BDI-së dhe Menduh Thaçin e PDSH-së për të diskutuar për zhvillimet aktuale në Maqedoni. Kryeministri Berisha dje pasdite ka pritur liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në Maqedoni dhe rajon, procesi i integrimit në Bashkimin Europian, implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, bashkëpunimi dhe këmbimi i përvojave rreth procesit të liberalizimit të vizave për Shqipërinë. “Me kryetarin e BDI-së, zotin Ali Ahmeti ne patëm një diskutim të zgjeruar mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe Maqedoni. Ne diskutuam gjerësisht mbi bashkëpunimin e ngushtë midis dy vendeve tona, ramë dakord që kontaktet, sikundër deri tani, të jenë të vazhdueshme për të gjitha problemet. Qëndrimi i Shqipërisë, qeverisë shqiptare, autoriteteve shqiptare është dhe mbetet i pandryshuar, paqja, stabiliteti i Maqedonisë, integriteti i saj janë jetikë për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Sikundër konsiderojmë jashtëzakonisht të rëndësishëm zbatimin e plotë dhe konsolidimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe kur them këtë, dua të shpreh vlerësimin tim të palëkundur me të gjithë progresin thelbësor që është arritur në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Unë kam bindje se zbatimi i saj do të eci e pandërprerë, sikundër ka ecur gjer sot, në interesin më të mirë të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, por edhe në interesin më të mirë të mbarë shoqërisë maqedonase e të Maqedonisë në tërësi”, ka theksuar Kryeministri Berisha pas takimit. Ndërsa, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka përshëndetur rrugëtimin e shtetit shqiptar drejt BE-së dhe angazhimin e qeverisë shqiptare. “Unë me këtë rast, dëshiroj në radhë të parë, shëndet dhe suksese në rrugën, të cilën, me shumë angazhime, zoti Kryeministër po e bën në drejtim të implementimit të standardeve që na afrojnë drejt Bashkimit Europian, standardeve që na afrojnë si fqinj, bashkëpunimin e Shqipërisë, Maqedonisë, por edhe kontributin e zotit Kryeministër në drejtim të bashkëpunimit brenda rajonit. Ne kemi konsideruar dhe konsiderojmë se Shqipëria është një lobiste e vërtetë që Maqedonia sa më parë të jetë anëtare e NATO-s, të mos jetë akoma më larg e shkëputur nga Karta e Adriatikut, sepse nga Karta e Adriatikut, Shqipëria dhe Kroacia janë në NATO dhe të gjitha angazhimet ne i bëjmë në këtë drejtim, që sa më parë Maqedonia të zërë vendin e merituar, sepse duke qenë në NATO kemi më shumë siguri, më shumë stabilitet, jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për rajonin si tërësi. Edhe një herë suksese, zoti Kryeministër”, ka theksuar Ahmeti. Ndërkohë, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi pritet të takohet sot me Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›