E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduken dëshmitarët e bandave të Durrësit

Gjysma e personave që do të faktonin krimet e Lul Berishës e Indrit Dokles kanë “emigruar”

Gjykata e Krimeve të Rënda jep alarmin për “zhdukjen” e dëshmitarëve të bandave të Durrësit, të kryesuara nga Lul Berisha dhe Indrit Dokle. Kur duhen pak javë nga mbushja e trevjetorit të procesit gjyqësor kundër 17 të pandehurve, gjysma e dëshmitarëve që janë në listën e prokurorisë nuk gjenden në banesa. Togat e zeza, me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kanë urdhëruar oficerët e policisë gjyqësore që të kontrollojnë në banesa dëshmitarët, por përpjekjet kanë qenë të kota, pasi shumë prej tyre kanë “emigruar”. Organi i akuzës i ka kërkuar gjykatës që të pyesë rreth 200 dëshmitarë për faktimin e akuzave ndaj të pandehurve, ndërsa nga verifikimi ka rezultuar se rreth 100 dëshmitarë ose kanë ndryshuar banesë, ose kanë emigruar jashtë shtetit, ndoshta nga frika e përballjeve me të pandehurit. Megjithatë, institucionet e drejtësisë deklarojnë se do të përdorin çdo mjet të mundshëm për të marrë dëshmitë e kërkuara, megjithëse në këtë proces gjyqësor është dhënë dëshmia më e rëndësishme. Adriatik Coli, i penduari i këtyre organizatave kriminale, ka treguar metamorfozën e krijimit të bandës, e cila më pas u nda në dy të tilla, për shkak të konflikteve të brendshme. Miqtë e dikurshëm i bënë armiq dhe urdhëruan “killer” me pagesë për të vrarë njëri-tjetrin, madje pagesat shkonin deri në qindra mijëra euro.

Dëshmitarët

Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka kërkuar gjykatës se për të vërtetuar akuzat ndaj 17 të pandehurve, do të thirren për të dëshmuar 192 dëshmitarë, si dhe do të paraqiten 257 prova shkresore dhe ekspertiza shkencore. Dëshmitarët, sipas prokurorisë, do të vërtetojnë provat e mbledhura për kryerjen e 8 vrasjeve, rrëmbimit të një femre për 18 muaj, 5 vrasjeve të mbetura në tentativë, mes të cilave edhe atentatet ndaj Lulzim Berishës. Lista e dëshmitarëve të prokurorisë kryesohet nga emri i të pandehurit Adriatik Coli, i cili ka fituar statusin e të penduarit dhe 5 dëshmitarëve që kanë fituar statusin e dëshmitarit të drejtësisë dhe janë nën mbrojtjen e efektivëve të zyrës për mbrojtjen e dëshmitarëve të drejtësisë të krijuar pranë Ministrisë së Brendshme. I penduari ka rrëfyer të gjithë bandën, duke u pyetur me hollësi nga prokuroria, gjykata, avokatët dhe të pandehurit. Seanca e pyetjeve zgjati disa muaj, ndërsa procesi po mbush dalëngadalë tre vjet shqyrtim gjyqësor. Krahas Colit dhe dëshmitarëve të drejtësisë, në listën e personave që do të pyeten në cilësinë e dëshmitarëve janë edhe disa biznesmenë të njohur të qytetit të Durrësit dhe persona me precedentë penalë, që janë gjykuar nga kjo gjykatë. Listës së dëshmitarëve nuk i mungojnë edhe disa nga familjarët e të pandehurve, të cilët do të dëshmojnë para gjykatës për “veprat” e të afërmve të tyre që ndodhen prapa hekurave. Sipas kërkesës për gjykim, 16 të pandehurit e akuzuar si pjesëtarë të bandës së Durrësit janë drejtuar nga të arrestuarit Lulzim Berisha dhe Indrit Dokle, të “divorcuar” në vitin 2002 për t’u kthyer më pas në rivalët më të egër për njëri-tjetrin. Ndarja, sipas kërkesës për gjykim, si në të gjitha bandat erdhi për shkak të prishjes së pazareve të trafikut.

Banda

“Lulzim Berisha dhe Klodjan Saliu (aktualisht i vrarë), që nga viti 1997 e në vazhdim, krijuan dhe drejtuan një organizatë kriminale, në të cilën bënin pjesë të pandehurit: Plaurent Dervishaj, Indrit Taullaj, Dritan (Adriatik) Coli, Indrit Dokle, si dhe shtetasit Ilir Xhunga e Arben Paja, aktualisht të vrarë”, thuhet në dosjen e prokurorisë, e cila ka shkuar para tre vjetëve për gjykim. Lulzim Berisha, pas ndarjes së kësaj bande ka qenë katër herë nën shënjestrën e rivalëve të tij, të udhëhequr nga Indrit Dokle, personi që mori drejtimin e bandës së ndarë nga Lulzim Berisha, pas vrasjes së shokut të tij Klodian Saliu. Sipas prokurorisë, vrasjet nën emrin e bandës kanë filluar më 17 tetor të vitit 1998, aty rreth orës 18.30, kur i pandehuri Lulzim Berisha në bashkëpunim me të pandehurit Plaurent Dervishaj, Adriatik Coli, Klodian Saliu dhe Ilir Xhunga (aktualisht të vrarë) kanë vrarë me armë zjarri Dritan Sallakun në qytetin bregdetar. Një seri e përgjakshme vrasjesh ndodhi më pas, ku fillimisht u eliminuan anëtarët e bandave rivale, e më pas, hakmarrja filloi brenda llojit. Atentati i fundit ndaj anëtarëve të kësaj bande ndodhi në Tiranë në vitin 2004, kohë kur u arrestua Indrit Dokle.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›