E Diel, 1 Nëntor 2026

Garda vëzhgon me dylbi çadrat e grevistëve socialistë

Mes vapës së kryeqytetit dhe revoltës së opozitës Dita e dytë e protestuesve në bulevard

E diela e parë e majit duket se e ktheu Tiranën në normalitetin e saj, pas dy ditësh të mbushura me tension dhe turma masive në bulevardin dhe sheshet kryesore. Nën diellin që pingul prekte asfaltin dhe zbrazëtinë tipike kryeqytetase të së dielës, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ishte e vetmja zonë në qytet ku dukej se diçka po ndodhte. Prej së largu arrihej të shquheshin çadrat e verdha, “shtëpitë” pa kuzhinë, ku prej tri ditësh 180 socialistë të thjeshtë dhe 20 deputetë po zhvillojnë grevën e urisë. Nga afër çadrat e verdha duken si një kamp masiv, i shtrirë gjatë e gjerë midis dy institucioneve kryesore të vendit, Këshillit të Ministrave dhe Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë. Por ndonëse janë të rrethuar nga institucione të tilla hijerënda, deputetët dhe simpatizantët socialistë në grevë nuk shqetësohen aspak dhe duken mirë të ambientuar brenda hapësirave të ngushta të çadrave. Rojet e PS-së që rrethojnë në çdo anë të tij kampin e improvizuar, duket se u japin më shumë kurajë grevistëve të vijojnë të qetë në mesin e bulevardit misionin e tyre. Pavarësisht formës “transparente” të grevës, socialistët kanë menduar të vendosin krevatet e meshkujve në hyrje të kampit dhe në thellësinë e tij, “dhomat” e femrave. Nga plastmasët transparentë që shërbejnë si dritare, mund të shquash fare pak se çfarë po ndodh brenda në çadra, por nëse do një pamje më të qartë të brendësisë së tyre, mjafton të ngjitesh në kullën shumëkatëshe që qëndron përbri kampit. Në katin e tretë të ndërtesës, të çarat mes plastmaseve të lejojnë të shuash kuriozitetin. Një grevist me këmbët e mbledhura në krevat, duket se po hedh “fall” me letra bixhozi. Nuk dihet se cila është dilema për të cilën ai po pret përgjigje nga letrat, por mendimi i parë që të vjen ndërmend është se grevisti po kërkon përgjigje nëse do të hapen apo jo kutitë. Në krevatin ngjitur, një tjetër grevist ka shtyrë mënjanë batanijet e rënda, dhe duket se është në mesin e një gjumi të rëndë, duke mos ndier dy grevistë që në krevatin ngjitur me gjestikulacione shoqërojnë debatin e tyre.

Heshtja që prej tri ditësh vjen nga zyrat e Kryeministrisë, mbi atë çfarë po ndodh në shesh, duket e brishtë dhe duket se nga momenti në moment përgjigjja do të përplaset mbi kamp. Përgatitjet kanë filluar dhe përgjigjja duket se do të vijë mbasi terreni të studiohet mirë. Një nga ushtarët mbi godinën e Kryeministrisë, prej disa orësh, i heq dylbitë e drejtuara mes çadrave, vetëm në sekuenca të shkurtra. Në tarracën e Këshillit të Ministrave, lentet e dylbive të ushtarit duket se i përshkojnë pa problem të çarat mes plastmaseve të kampit rozë. Por edhe gardistët janë të vëzhgues të mirë, në kordonin që kanë krijuar midis kampit dhe derës së përparme të Kryeministrisë, nga e cila prej tri ditësh nuk hyn më askush. Sytë e tyre janë të ngulur fort jo vetëm tek ajo çfarë ndodh brenda në çadra, por edhe te lëvizjet e organizatorëve të grevës dhe xhirot përreth tendave të deputetëve të PS-së. Në orën 15.00 “gardhi” i gardistëve filloi të shthurej, por vetëm për pak çaste. Me anë të një përplasjeje duarsh 10 gardistët i lanë stafetën për të bërë “gardhin” 10 të tjerëve. Gardistët që mbyllën turnin e paradites zunë menjëherë vend në lulishten përpara piramidës dhe teksa po shijonin pushimin e drekës, nuk ua ndanin sytë çadrave të grevistëve dhe hapësirës përreth.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›