Berisha takohet me Fillon: Bllokimi i opozitës dëmtoi interesat e vendit
Kryeministri Berisha gjatë vizitës së tij në Francë sëhtë takuar me homologun Francois Fillon.
Sipas faqes zyrtare të Kryeministrisë, gjatë takimit Berisha e ka njohur Fillon me zhvillimet politike në vend. Pas dy vjet bllokimi të jetës politike nga opozita, i cili dëmtoi interesat e vendit, ajo pranoi ofertat politike të bëra nga mazhoranca gjatë dy viteve dhe tashmë situata politike dhe jeta parlamentare janë normalizuar dhe një sërë reformash me rëndësi për procesin e integrimit europian, përfshirë atë zgjedhore dhe miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, kanë filluar të zbatohen, është shprehur ai.
Berisha e ka njohur Fillon me reformat e ndërmarra nga qeveria dhe është ndalur në investimet franceze në vendin tinë, të cilat sipas tij janë kthyer në histori suksesi.
Të dy kryeministrat kanë biseduar më tej për investime ku Franca mund të ofrojë asistencë si: energjia e rinovueshme, projektet për transportin publik në Tiranë, modernizimin e administratës publike, projektet në bujqësi dhe pastrimi i ujërave.
Berisha: Shqipëria një nga vendet më të sigurta në Evropë, opozita ‘e zeza’
Në mbyllje të punimeve të Kongresit të 20 dhe Samitit të Partive Popullore Evropiane, i cili u zhvillua në Marsejë, Kryeministri Berisha dha një intervistë për Televizionin Publik Shqiptar (TVSH) gjatë së cilës, bëri një ekspoze të diskutimeve të zhvilluara dhe konkluzioneve të arritura gjatë këtyre punimeve.
Në përfundim të Samitit të Partisë Popullore Evropiane, kryetari i PD-së dhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha në një prononcim për mediat është shprehur se ka shfrytëzuar takimet me liderët evropianë të së djathtës për të folur për arritjet e Shqipërisë.
Ishte një rast për shkëmbim pikëpamjesh mbi zhvillimet në Shqipëri dhe mbi arritjet që Shqipëria ka shënuar dhe shënon në zbatimin e atyre parimeve që janë të përbashkëta për partitë e qendrës së djathtë, tha Berisha.
Duke folur më tej për konsensusin opozitë-mazhorancë, kreu i qeverisë tha: Pengesa mekanike e vendosur nga kreu i opozitës, siç ua thashë dhe në kongres dje, vetëm e vetëm për qëllime të mirëfillta politike për të penguar qeverinë, tani nuk ekziston dhe unë në të gjitha takimet e mija informova bashkëbiseduesit se opozita po bën punën e saj normale në Parlament. Por, se si do të vazhdojë qëndrimi i opozitës kjo është një çështje e saj dhe jo e imja.
Sa i takon dështimit në marrjen e statusit kandidat, Berisha ritheksoi arsyetimin e mazhorancës se faji është i opozitës dhe se qeveria ka arritur në disa fusha rezultate të mira..
Statusi nuk është dhënë, dhe kjo është bërë e qartë edhe në deklaratën e ministrave të jashtëm, vetëm për shkak të bojkotit që bllokoi reformat, por as qeveria shqiptare dhe as ndonjë qeveri tjetër nuk mund të jetë kurrë e përsosur në ato që ka bërë. E vërteta është se qeveria shqiptare në një sërë fushash ka rezultate më të mira se shumë qeveri të tjera dhe këto janë evidente. Reformat e qeverisë shqiptare në fushën ekonomike janë ndër më të rezultativet. Reforma në fusha të tjera janë evidente. Sigurisht që ka shumë për të bërë, por sot Shqipëria është një nga vendet më të sigurta në Evropë, pra është bërë shumë e qartë se shkaku i mosdhënies së statusit ishte mos votimi i ligjeve në parlament nga opozita shqiptare, shprehet ai.
