E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takohet me Sheikh Al-Ahmed Al-Sabah rikonfirmohet zgjerimi i bashkepunimit

Në vijim të vizitës së tij, në New York, kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Kryeministrin e Kuvajtit Sheikh Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah.

Gjatë takimit u ripohuan marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis dy qeverive dhe dy vendeve dhe u rikonfirmua vendosmëria e te dy vendeve dhe qeverive per te zgjeruar edhe më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes te ndërsjellë, ne mënyre te vecante në sektorin ekonomik, në nxitjen e investitorëve e sipërmarrjes kuvajtiane për të investuar në Shqiperi. Në këtë kontekst, fusha si ajo e turizmit, ndërtimit, të infrastrukturave të rëndësishme, etj, u vlerësuan si sektorë me potencial real për bashkëpunimin mes dy vendeve. Gjithashtu, te dy kryeministrat rishprehen dëshirën për të vijuar intensifikimin e kontakteve dhe shkëmbimin e vizitave në nivelet më të larta.

Kryeministri kuvajtian Sheikh Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah vlerësoi transformimin e jashtëzakonshëm që ka pësuar Shqipëria gjatë kësaj periudhe nën drejtimin e Kryeministrit Berisha dhe e siguroi kryeministrin Berisha se Kuvajti dhe populli kuvajtian ruajnë ndenjat më të ngrohta të miqësisë ndaj popullit shqiptar dhe ndaj kryeministrit Berisha dhe do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë në projektet e rëndësishme zhvillimore të saj.

Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e falënderoi kryeministrin kuvajtian Sheikun Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah për kontributin e rëndësishëm të qeverisë kuvajtiane përmes Fondit Kuvajtian të investimeve, në projekte të rëndësishme të realizuara dhe që po realizohen në vend. Një ndër projektet kyçe, për të cilin do të bashkëpunohet ngushtësisht me Fondin Kuvajtian është ai për rregullimin e Qendrës së Tiranës, për të cilin u rikonfirmua vullneti i të dy palëve, që në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Kryetarin Lulzim Basha, ky projekt te shndërrohet sa më parë në një histori të vërtetë suksesi, ashtu siç meritojnë qytetarët e Tiranës.

Më tej, ne takim u diskutua mbi zhvillimet në rajon, duke u ndalur në çështjen e njohjes se pavarësisë se Kosovës. Kryeministri Berisha i kërkoi Kryeministrit të Kuvajtit Al-Sabah që vendi mik i Kuvajtit të marrë në konsideratë njohjen e shtetit më të ri, evropian, si një e drejte legjitime e popullit te Kosovës, e rikonfirmuar në mënyrë të padiskutueshme nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Njohja e pavarësisë së Kosovës, si një akt që zhbën padrejtësitë historike ndaj shqiptareve, të cilët më shumë se çdo popull tjetër përjetuan copëtime te padrejta, pushtime, spastrimin etnik nga më të pashembulltit në Evropë, është një kontribut i rëndësishëm në konsolidimin e mëtejshëm të paqes stabilitetit e bashkëpunimit në rajon, si dhe realizimit te projektit madhor të qytetarëve te Kosovës për të ardhmen euroatlantike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›