Biberaj e “Dosjet”, KE në Tiranë
Aristir Lumezi
Britaniku David Willshire dhe finlandezi Jaakko Laakso do të jenë në Tiranë të hënën dhe të martën e ardhshme. Anëtarë të delegacioneve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të kalojnë në sitë procedurat e zëvendësimit të Aleksandër Biberajt me Ilir Rusmalin në krye të delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Gjithashtu ata do të hartojnë dhe një raport lidhur me ligjin “Për pastërtinë e figurave zyrtare”, i miratuar me votat e maxhorancës dhe i kontestuar nga opozita, por dhe faktori ndërkombëtar, SHBA, ambasada angleze, OSBE, por dhe shoqatat e prokurorëve dhe Komiteti i Helsinkit. Madje në Gjykatën Kushtetuese kanë mbërritur tri kërkesa për rrëzimin e këtij ligji si antikushtetues. Edhe Këshilli i Evropës ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me zbatimin e këtij ligji përsa i takon çështjes së të drejtave të shtetasve për t’u zgjedhur, por dhe funksionimit të institucioneve. Gjithashtu një tjetër çështje për të cilën pritet të jepet një qëndrim i tyre do të jetë kushtetutshmëria e këtij ligji, i cili nuk arriti të marrë pëlqimin e një mase të gjerë të politikës shqiptare. Por një tjetër çështje që reporterët e Këshillit të Evropës do të prekin gjatë qëndrimit të tyre dyditor në Tiranë, do të jenë dhe përgatitja e zgjedhjeve të qershorit. Kartat e identitetit, listat e zgjedhësve dhe predispozitat e forcave politike për të zhvilluar një fushatë brenda standardeve evropiane dhe pranimit të rezultatit të zgjedhjeve, do të jenë çështjet që përfaqësuesit e KE-së do të konsultojnë me faktorë të politikës shqiptare. Por çështja më e nxehtë për ta mbeten procedurat e ndjekura me zëvendësimin e Biberajt, pasi kjo ishte një çështje që mori tre ditë debate në sesionin e dimrit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Madje, ardhja e tyre në Tiranë ishte pikërisht propozim i kryetarit të Komisionit të Rregullores dhe procedurave të kësaj asambleje, Xhon Greenway. Kërkesa për të parë nga afër zbatimin e procedurave dhe rregullores në Parlamentin shqiptar, u bë fillimisht nga anëtari i delegacionit hungarez, Mátyás Eörsi.
“Kredencialet e delegacionit shqiptar të Asamblesë Parlamentare në Këshillin e Evropës janë përballur në baza procedurale në ditën hapëse të sesionit në Strasburg. Ai që ka bërë këtë përballje ishte Mátyás Eörsi (Hungari), i cili drejton grupin ALD: “Ne kemi arsye të besojmë se një nga anëtarët e Asamblesë nga Shqipëria është hequr në një mënyrë, e cila i thyen rregullat e aplikimit”, thuhej në faqen zyrtare të Asamblesë së Përgjithshme. Në raportin e Komisionit të Rregullores dhe Procedurave të Asamblesë Parlamentare, hartuar nga kryetari i saj, Greenway thuhet se, “në një letër në 22 janar dërguar Kryetarit të Asamblesë Parlamentare, zoti Biberaj thotë se është informuar për zëvendësimin e tij pak para se të nisej për në Strasburg në rrugë informale”. Nisur nga këto indicio, Këshilli i Evropës kërkon ta shohë nga afër këtë procedurë. Greenway shprehet se “mund të ketë pasur veprime të pasjellshme për sa i përket trajtimit të z. Biberaj, por këto nuk i japin vetes arsye për të thyer rregullat e Asamblesë sonë. Duhet gjithashtu t’u ngulitet në mendje se ky raport mund të bëhet precedent për raste të tjera në të ardhmen”. Duket se neni 7.3 i rregullores së Kuvendit do të jetë referimi për reporterët e KE-së që do të vijnë në Tiranë. “Megjithatë, diskutimi me dy anëtarë shqiptarë në Asamble më 27 janar 2009 ka treguar se rregulli 7.3 i parlamentit shqiptar, i cili ka të drejtën e përcaktimit të delegacionit të Asamblesë Parlamentare përmban dykuptimësi. Ky rregull i hap shteg problemeve kur bëhet një ndryshim në delegacion gjatë një ndërprerjeje të Parlamentit. Këto pikëpyetje (çështje) do të ndiqen nga Komiteti Monitorues i Asamblesë parlamentare”, shprehet kryetari i Komisionit të Rregullores dhe Procedurave në Asamblenë Parlamentare, Greenway.
David Wilshire
David Wilshire, 67 vjeç, është deputet konservator i Parlamentit të Britanisë së Madhe dhe është pjesë e grupit demokrat evropian në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Wilshire është anëtar i Asamblesë që prej 1997 dhe është zëvendëspresident i Komitetit për Çështjet Politike, por dhe anëtar i nënkomisionit për Marrëdhëniet e Jashtme.
Jaakko LAAKSO
Finlandezi Jaakko LAAKSO, 61 vjeç, anëtar i Unionit të Majtë Europian, është anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që prej 1991. Anëtar i Komitetit të Monitorimit dhe i nënkomisioneve për çështjet e krimeve dhe Luftës kundër Terrorizmit, Laakso konsiderohet si një njohës i mirë i çështjeve procedurale.