Shkarkimi i Biberajt,zbardhen letrat e Topallit për KE
Aristir Lumezi
Dhënia e kredencialeve të delegacionit shqiptar kaloi përmes një raporti të hollësishëm të Komisionit të Rregullores. Xhon Greenway njohu Asamblenë Parlamentare për të gjitha procedurat dhe korrespondencën e Kuvendit të Shqipërisë me Asamblenë Parlamentare të KE-së. Në raportin e Greenway thuhet se, “në një letër dërguar Kryetarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë paraqet përbërjen e delegacionit shqiptar për vitin 2009 pa asnjë ndryshim”. Aleksandër Biberaj, deputeti dhe anëtari i kryesisë së PD-së, vazhdonte të ishte kryetari i këtij delegacioni. Letra i është dërguar Asamblesë Parlamentare përmes Sekretarit të Delegacionit, Vangjel Mita. Gjithashtu në këtë letër, Taulant Dedja mbetet anëtar i grupit parlamentar të PS-së, ndërsa Lajla Përnaska deputete e PR-së, ndërkohë që ka shpallur kandidaturën për kreun e PD-së së Tiranës, duke prishur në këtë mënyrë balancat politike në përfaqësimin e delegacionit shqiptar. Por pa u dukur asgjë në horizontin politik shqiptar, gjatë periudhës së pushimeve të Kuvendit, një letër e dytë në Strasburg rrëzon të parën. Përmes saj, kryetarja e Parlamentit njofton kryetarin e Asamblesë Parlamentare të KE-së se kishte zëvendësuar kryetarin e delegacionit shqiptar me demokratin Ilir Rusmali, i cili bëhet anëtar i delegacionit të përhershëm shqiptar si dhe kryetar i këtij delegacioni. Topalli informon se Biberaj vendoset në një detyrë tjetër. Por deri në nisjen e punës së Parlamentit shqiptar, por dhe të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, më 19 janar, Biberaj nuk merr asnjë informim zyrtar nga Kuvendi i Shqipërisë për këtë vendim. Ndërkaq, ditën e hapjes së seancës plenare të Asamblesë së Përgjithshme të KE-së, kur dhe do të konfirmoheshin delegacionet, deputetët shqiptarë, përfshi dhe Biberajn shkuan në Strasburg me shpenzimet e veta, ndërsa deri në marrjen e vendimit të Asamblesë, delegacioni kishte dy kryetarë, Biberaj, i cili mbante ende mandatin e tij dhe Rusmali, si propozim i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Ndërkaq për të shmangur këtë përplasje, Asambleja e Përgjithshme Parlamentare vendosi të ngrijë kredencialet e delegacionit shqiptar në KE. Për të përforcuar këtë vendimin të Komisionit të Rregullores dhe Procedurave, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë i dërgon një letër kryetarit të Komisionit të Rregullores dhe Procedurave, Greenway, përmes së cilës i shpjegon procedurat e ndjekura për këtë zëvendësim, duke shprehur se gjatë informimit të Parlamentit nuk ka pasur asnjë kontestim nga ana e grupit të deputetëve demokratë, ku zoti Biberaj bën pjesë. Por seanca e datës 26 janar ka pasur kontestime nga ana deputetëve të opozitës, të cilët kërkuan dhe votimin e zëvendësimit. Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, ka kontestuar procedurën e ndjekur për shkarkimin e Biberajt dhe emërimin e Rusmalit, ndërsa deputeti Dokle kërkoi hedhjen në votim të kësaj procedure sipas rregullores. Ky debat nuk është pasqyruar në letrën që kryetarja e Kuvendit i dërgoi Strasburgut. Përkundrazi në të thuhet se vendimi është marrë në përputhje me nenin 7.3 të rregullores se procedurave të Parlamentit shqiptar gjatë seancës së tij më 26 janar 2009.
Mustafaj denoncoi kryetaren e Parlamentit
“Topalli ka shkelur rregulloren e Kuvendit, kur e ka bërë fakt të kryer përjashtimin e zotit Biberaj nga delegacioni, pa e paraqitur më parë në seancë plenare. Njëri nga baballarët e demokracisë evropiane në shekullin XX, Çurçill, thotë se në demokraci, shkelja e procedurave është simptomë e rrezikut për të shkelur vetë rendin demokratik. Unë i besoj kësaj porosie të Çurçillit”, tha Mustafaj.
Përnaska: Procedura e zëvendësimit, normale
Deputetja e PD-së në Strasburg tha se, “është ndjekur një procedurë normale që nga Parlamenti shqiptar dhe më pas iu propozua Parlamentit të Këshillit të Evropës. Këto procedura janë rutinë, këtu ndërrohen vazhdimisht emra njerëzish dhe kryetarë delegacionesh. Se çfarë emrash vendosen është çështje e vullnetit të grupeve politike në parlamentet nacionalë. Këtu asnjë nuk është i përjetshëm dhe të gjithë zgjidhen ose rizgjidhen”, tha Përnaska.
Biberaj humbi katër funksione
Aleksandër Biberaj u zgjodh në vitin 2005 si kryetar i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ai u votua edhe si zv.president i Asamblesë së KE-së. Komiteti Politik i KE-së miratoi pak kohë më parë propozimin e Grupit Parlamentar të PPE-së, që deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, njëkohësisht kryetari i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KE-së, të jetë përfaqësues i KE-së për të zbardhur se çfarë ka ndodhur realisht në Ukrainë dhe në ish-republikat e tjera të Bashkimit Sovjetik gjatë viteve 1932-1933.
Islami: Zëvendësimi, pas kritikave të Davis
“Ky veprim vjen si rezultat i kritikave që qeveria shqiptare ka marrë nga Këshilli i Evropës për ligjin e Lustracionit. Mesa duket lufta e klasave ka vazhduar brenda gjirit të partisë, sepse zoti Biberaj nuk ka qenë i zoti të mbrojë përballë institucionit të rëndësishëm, siç është sekretari i Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Terry Davis, i cili ka bërë një deklaratë lidhur me ligjin e ‘Pastrimit të figurave’ të miratuar nga maxhoranca aktuale parlamentare”, tha Islami.