E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takon Grossruck: Qeveria e vendosur për zgjedhje me standarde

TIRANE - Kryeministri Berisha priti sot në një takim Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruck dhe delegacionin që e shoqëronte.

Kryeministri e garantoi zotin Grossruck se qeveria shqiptare është e vendosur dhe e angazhuar, që këto zgjedhje të shënojnë standardet më të larta ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kryeministri Berisha shprehu bindjen se procesi zgjedhor i së dielës do të jetë procesi më i mirë i zhvilluar në Shqipëri gjatë këtyre dy dekadave.

Siç bën të ditur zyra e shtypit e kryeministrisë, shefi i qeverisë e falenderoi Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, për mbështetjen e vazhdueshme që po i dëshmojnë sërish Shqipërisë me ekipin e gjerë të vëzhguesve, të cilët do të ndjekin nga afër procesin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të ditës së diel në vendin tonë.

Kryeministri shfrytëzoi rastin për të falenderuar komunitetin ndërkombëtar për numrin e madh të vëzhguesve, të cilët ndodhen tashmë në Shqipëri dhe do të kenë mundësinë të shikojnë nga afër mbarëvajtjen e këtij procesi.

Nga ana e tij, Wolfgang Grossruck i shprehu kryeministrit Berisha vlerësimet e tij më të larta dhe përgëzimet më të sinqerta, për fushatën elektorale intensive dhe transparente të zhvilluar në Shqipëri gjatë kësaj periudhe në një atmosferë të qetë pa incidente dhe në një klimë thellësisht të civilizuar brenda së cilës partitë politike shpalosën platformat dhe programet e tyre.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Nishani-Grossruck: Fushata zgjedhore ka qenë nga më të mirat

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›