E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani-Grossruck: Fushata zgjedhore ka qenë nga më të mirat

TIRANE - Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim një delegacion të OSBE-së i kryesuar nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare, Wolfgang Grossruck.

Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim në lidhje me fushatën zgjedhore, të cilën e konsideruan si fushatë ndër më të mirat, pasi është bazuar në paraqitjen e alternativave dhe debatin për programet dhe se ka shmangur në përgjithësi sulmet personale.

Presidenti Nishani më tej shprehu mirënjohjen për OSBE-ODIHR-n për ndihmën e tyre në përgatitjen e kuadrit ligjor për zgjedhjet dhe pasi bëri një paraqitje të detajuar të situatës parazgjedhore shprehu bindjen në suksesin e këtyre zgjedhjeve.

Sipas presidentit, suksesi i zgjedhjeve bazohet në ligjin elektoral, infrastrukturën moderne zgjedhore, transparencën, sjelljen e përgjegjshme të qytetarëve shqiptarë dhe shpresën se partitë politike do të reagojnë në mënyrën e duhur pas rezultatit të zgjedhjeve.

Nga ana e tij, presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruck i vlerësoi zgjedhjet si shumë të rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin ku Shqipëria ka një rol të rëndësishëm në stabilitetin e tij, duke shtuar se në suksesin e zgjedhjeve është veçanërisht e interesuar edhe OSBE-ja.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›