Behar Gjoka promovon romanin e tretë “Orët e Ringjalljes”
Izaura Ndoj
“Orët e Ringjalljes” është romani që sjell Behar Gjoka tek lexuesi shqiptar si prozator. Romani është i treti i autorit të cilat i ka botuar në Kosovë, ndërkohë që lexuesi në Shqipëri e njeh më shumë si studiues të letërsisë. “Orët e Ringjalljes” është një roman i shkruar menjëherë dhe i dedikuar ngjarjeve që ndodhën në Kosovë në vitin 1999. Në Prishtinë libri është botuar në vitin 2000 dhe është vlerësuar edhe me çmim nga shtëpia botuese Buzuku. Kronika e luftës dhe e njerëzve të saj e prekur nga afër, e fateve të fëmijëve pa fëmijëri dhe e shumë krimeve, ndërhyrja e forcave të NATO-s si një përgjigje e qytetërimit perëndimor ndaj barbarisë serbe, është shtysa e shkrimit të këtij romani. Humbja e prindërve të një fëmije 5-6 vjeçar, si dhe mbështetja që ai gjen nga ushtarakët e SHBA-së, Anglisë, Francës dhe Gjermanisë, përbën historinë letrare të këtij romani. Ky roman ka në qendër ikjen dhe kthimin biblik të shqiptarëve të Kosovës në trojet e tyre në motin e hidhur 1999. “Është një adresim i qartë i atyre ndodhive të vitit 1999, ku shqiptarët e Kosovës u përzunë në mënyrën më absurde nëpërmjet një genocidi të pastër. Po ato ngjarje në fakt na nxorën në dritë pak më shumë, në shumë kuptime. Së pari, sepse kuptuam se shqiptarët e Kosovës nuk ishin një komb tjetër”, u shpreh Behar Gjoka, autor i “Orët e Ringjalljes”. Ndërkaq autori që është gjendur përballë gazetarëve dhe miqve të tij në prezantimin e librit “Orët e Ringjalljes” rrëfen edhe raportin e tij mes të qenit studiues dhe prozator. “Shumëkush thotë që unë jam më shumë prozator se sa studiues, dhe këtë e thonë në fakt studiuesit. Nuk e di sepse dhe nuk kam menduar të jap një përgjigje. Nga ana tjetër prozatorët, përsëri moshatarët e mi, thonë që je më shumë studiues. Unë do të thoja që letërsia ka tre elemente, ka leximin, ka krijimin ka dhe studimin”, vijoi Gjoka. Romani “Orët e ringjalljes” është i treti i autorit pas “Shitësi i gurëve të varrit” dhe “Mashtrim i bukur” por i pari që botohet në Shqipëri nga shtëpia botuese Argeta. Deri me tani Behar Gjoka njihet si studiuesi i emrave të letërsisë shqipe që nga Budi, Mitrush Kuteli, Ismail Kadare, Trebeshina ndërkohë që ka në proces një studim për veprën e Martin Camaj.
14 Dhjetor 2009