Rama takon Topin për krizën: “Nuk bëjmë asnjë hap prapa”Nga Tema Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha mbrëmë se opozita nuk tërhiqet nga kërkesat e saj. “Asnjë hap mbrapa nuk bëjmë. Le të rrijë pa opozitën në parlamentin e marrë pe
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Rama takon Topin për krizën: “Nuk bëjmë asnjë hap prapa”Nga TemaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha mbrëmë se opozita nuk tërhiqet nga kërkesat e saj. “Asnjë hap mbrapa nuk bëjmë.
Le të rrijë pa opozitën në parlamentin e marrë peng, të cilin e ka kthyer së fundi në prokurori e në gjykatë të paligjshme, ku ngrihen akuza të çmendura dhe jepen sentenca të marra për kundërshtarët politikë apo për sipërmarrës që Sali Berisha i quan kundërshtarë, thjesht sepse nuk i ka klientë të pushtetit të Familjes së tij. Ne do të qëndrojmë jashtë atij parlamenti të dalë nga dhunimi i votës së qytetarëve, që dhunon rregullisht liri e të drejta qytetarësh, dhe do të jemi me qytetarët në një betejë për liri e të drejta që nuk shiten, nuk blihen, nuk negociohen”, - tha Rama.
Kryetari i PS iu është drejtuar dhe ndërkombëtarëve duke thënë se bojkoti nuk është shkak, por pasojë e krizës.
“Miqve tanë ndërkombëtarë u kemi qenë e do t’u jemi mirënjohës për gjithçka, edhe për shqetësimin serioz e këshillën e urtë për dialog dhe u përsërisim se bojkoti ynë nuk është shkaku i krizës së demokracisë dhe rënies së shtetit të së drejtës, po vetëm një pasojë e kësaj krize që dita-ditës po cenon liri e të drejta të pacenueshme.
Që të ketë dialog Sali Berisha duhet të mbarojë monologun grotesk të luftës me opozitën mafioze dhe duhet të mos bëjë më sikur nuk e kupton që kërkesa jonë për hapjen e kutive nuk ka lidhje me gjykatën e me vendimet e saj.
Fundin e bojkotit nuk e kemi në dorë ne, por shkaktari i tij, pra Sali Berisha, i cili duhet të pranojë hapjen e kutive, për të rikthyer menjëherë opozitën në parlament. Pa u hapur kutitë nuk ka më asnjë garanci për zgjedhjet në Shqipëri, por nuk ka po ashtu asnjë zgjedhje tjetër për opozitën veç përshkallëzimit të protestës popullore”, - theksoi Rama.
Drejtuesi i opozitës tha se po shtohet çdo ditë numri i padive që po ngrihen kundër Berishës.
“Sot ka shkuar në dhjetë numri i padive civile dhe dhjetë numri i padive penale që vetëm unë, personalisht, kam hapur ndaj Sali Berishës, që prej ditës së çmendimit të tij në foltoren e parlamentit e deri tani.
I bëj thirrje, njeriut që ndot me papastërti të patolerueshme foltoren e parlamentit dhe të Këshillit të Ministrave, të provojë përpara gjykatës, qoftë edhe njërën nga shpifjet e tij. Opinioni publik shqiptar ka të drejtën të mësojë të vërtetën, gjithë të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës, për gjithë sa ka dalë nga goja e njeriut që sot drejton Shqipërinë me vota të vjedhura.
Ndërkohë i bëj thirrje Prokurores së Përgjithshme të Republikës, të hapë hetimin e të gjitha akuzave të kryeministrit të vendit ndaj meje dhe të kërkojë, nga Sali Berisha, prova e fakte lidhur me dhjetë paditë penale që kam depozituar deri sot në prokurori për këto akuza, pikërisht për të zbardhur, në çdo detaj, gjithçka është thënë gjatë këtij sulmi barbar”, - tha Rama.
Duke folur për sulmet që po ndërmerren ndaj biznesit, Rama tha se opozita do startojë javën që vjen protestat.
“Gjatë gjithë javës së ardhshme do të protestojmë në të gjithë vendin për krizën e demokracisë e të ekonomisë së familjeve shqiptare.
Ne jemi të bindur se Sali Berisha po e çon vendin në greminë duke grabitur zgjedhjet, fshehur forcërisht të vërtetën në kutitë e mbyllura, thelluar gropën e korrupsionit, shpallur opozitën si mafien më të rrezikshme në Ballkan, kërkuar të mbushë arkën e shtetit duke rënduar biznesin e vogël dhe terrorizuar biznesin e madh, rritur koston e jetesës së familjeve shqiptare përkundër rënies dramatike të fuqisë blerëse të tyre.
Bombat sociale që do të shpërthejnë në shtëpitë e shqiptarëve në janar, me çmimin e rritur të energjisë, taksat e rritura të biznesit të vogël, papunësinë e rritur çdo ditë bashkë me pafuqinë blerëse e me radhë, nuk mund të përballohen nga njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, po duhet të futen që të gjitha në faturën e Sali Berishës”, - tha Rama.
Apeli për policinë: Mos u bëni mish për topat e pushtetit
“U ribëj apel drejtuesve të Policisë së Shtetit të mos e bëjnë policinë mish për topat e pushtetit.
Mjaft është sakrifikuar e përvëluar policia në të shkuarën për deliret dhe tabiatet e këqija të pushtetit të interesave të vogla.
Mjaft janë keqpërdorur policët e këtij shteti për orekset e çdo pushteti.
Mjaft janë dërrmuar moralisht në vite burrat e djemtë që, nën uniformën e policit të shtetit të të gjithëve, janë bërë vegël në duart e pushtetit të disave.
Policia e Shtetit nuk mund dhe nuk duhet të jetë më, në asnjë rast e për asnjë arsye, jashtë binarëve të ligjit, jo më të nxirret rrugëve për të larë hesapet e Sali Berishës me opozitën e këtij vendi e me kundërshtarët që i dalin në ëndërr njeriut që fle mbi kutitë e mbyllura të zgjedhjeve të grabitura.
Ne jemi të vendosur, më të vendosur se kurrë, për t’i treguar Sali Berishës se ai nuk bëhet dot mbret dhe nuk vendos dot në Shqipëri kurrfarë rendi tjetër përveç rendit kushtetues e ligjor, sipas të cilit ky zotëri s’ka e s’mund të ketë asnjë liri e të drejtë më shumë sesa kushdo tjetër në këtë vend.”
Rama-Topi, 30 minuta takim kokë më kokë për krizën
Presidenti, Bamir Topi, priti dje në një takim kryetarin e PS, Edi Rama, me kërkesën e këtij të fundit, ku dhe u diskutua rreth krizës politike, bojkotit të opozitës dhe kërkesave të saj për hapjen e kutive të votimit. Kreu i opozitës ka kërkuar nga presidenti i vendit, që të luajë rolin e tij si garant i Kushtetutës, për t’i dhënë kështu të drejtën opozitës në kërkesat e saj për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Socialistët e konsiderojnë si një të drejtë që ia jep ligji dhe Kushtetuta kërkesën për transparencë të zgjedhjeve të 28 qershorit, dhe kjo ka qenë edhe kërkesa e djeshme e kreut të PS, Rama, drejtuar presidentit të vendit, njëherësh kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me qëllim që ky i fundit të ushtrojë të drejtën e tij si garant i Kushtetutës, për t’i dhënë opozitës të drejtën e hapjes së kutive të votimit.
“E kërkova këtë takim me Presidentin e Republikës për t’i shprehur shqetësimin e thellë të opozitës. Në emër të të gjithë popullit opozitar dhe të çdo qytetari e qytetareje që kërkon shtet të së drejtës; në kushtet kur shteti i së drejtës ka rënë; në kushtet kur kanë rënë të gjitha garancitë dhe vendi gjendet në një krizë të thellë të demokracisë dhe të institucioneve që duhet të garantojnë të drejtën e secilit, duke garantuar barazinë përpara ligjit.
Pa dyshim që ilustrova shembuj dhe fakte konkrete gjithë sa po ndodh dhe kërkova nga garanti i Kushtetutës që të garantojë liri dhe të drejta kushtetuese, duke luajtur rolin që i takon”, - tha Rama pas takimit me presidentit Topi.
Pas takimit me kryetarin e PS, zyra e shtypit pranë Presidencës bëri publik qëndrimin e kreut të shtetit në takim, duke theksuar se presidenti do të vazhdojë të luajë rolin e tij si garant i Kushtetutës dhe ligjit, dhe se do të vazhdojë të punojë për rritjen e standardeve të institucioneve të pavarura të shtetit të së drejtës. Pa dhënë detaje konkrete për takimin me kryetarin e PS, zyra e shtypit pranë Presidencës sqaroi se në takimin me Ramën presidenti Topi ka garantuar se do të vazhdojë të punojë për pavarësinë e gjyqësorit, institucion i sulmuar nga opozita si i varur nga pushtetit i mazhorancës demokrate. “Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, priti kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, me kërkesë të këtij të fundit. Zoti Rama i shprehu Kreut të shtetit shqiptar dhe njëkohësisht Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë shqetësimet rreth gjendjes aktuale të institucioneve të sistemit të drejtësisë, si dhe zhvillimeve më të fundit e situatën në vend. Pasi dëgjoi qëndrimin e kryetarit të Partisë Socialiste lidhur më këto çështje, Presidenti i Republikës ripërcaktoi edhe njëherë pozicionin e tij kushtetues dhe e siguroi zotin Rama se do të vazhdojë të luajë rolin e tij si garant i Kushtetutës dhe i ligjit në funksion të rritjes së standardeve të institucioneve të drejtësisë, profesionalizmit dhe efektshmërisë, ndershmërisë dhe paanësisë së gjyqtarëve, dhe se do të vazhdojë të punojë për konsolidimin e pavarësisë së këtyre institucioneve të shtetit të së drejtës”, - thuhet në njoftimin e Presidencës.
Takimi i djeshëm midis Ramës e Topit është i pari takim midis dy autoriteteve që pas zgjedhjeve të 28 qershorit, zgjedhje të cilat nuk janë pranuar si të lira dhe të ndershme nga Partia Socialiste dhe aleatët e saj.