Berisha takon Van der Linden: Do të nxiten investimet holandeze në Shqipëri
Kryeministri Berisha priti dje në një takim ish-kryetarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Rene Van der Linden. Gjatë bisedës europarlamentari premtoi se do të nxisë investuesit holandezë që të investojnë në Shqipëri. Që në fillim të fjalës së tij në këtë takim Van der Linden falënderoi kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe i shprehu urimet më të përzemërta për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, duke e cilësuar këtë fitore si shumë të rëndësishme dhe të dobishme për zhvillimin dhe përparimin e mëtejshëm të vendit, një fitore të rëndësishme për të djathtën europiane dhe konsolidimin e saj. Linden nënvizoi në këtë aspekt suksesin e reformave të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria në drejtimin e kryeministrit Berisha, suksesi i të cilave solli anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kryeministri Berisha theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian do të jetë në fokusin e qeverisë dhe se ky është një proces i bazuar në meritat dhe realizimin e reformave dhe standardeve për të cilat qeveria është e vendosur t’i plotësojë. Kryeministri Berisha e njohu zotin Linden me panoramën e zhvillimit ekonomik të vendit dhe hapat e ndërmarrë nga qeveria për shfrytëzimin e potencialeve të mëdha të vendit, si p.sh. në turizëm, energji, miniera, bujqësi etj., si dhe krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin e huaj. Në këtë aspekt kryeministri u shpreh se edhe investitorët holandezë janë të mirëpritur dhe se investimi i tyre do të jetë një histori suksesi. Zoti Van der Linden shprehu gatishmërinë e tij për të nxitur investitorët holandezë për të investuar në Shqipëri, duke theksuar se Shqipëria ka ende shumë potenciale të pashfrytëzuara në ekonomi, turizëm, kulturë, arsim, bujqësi etj., dhe që ngjallin interes të madh tek investitorët e huaj. Zoti Linden u ndal dhe në projektin holandez mbi arsimin e lartë pasuniversitar në Shqipëri si dhe në rëndësinë e një sistemi cilësor të arsimit privat në vend. Kryeministri Berisha theksoi se reformat në arsim janë dhe do të jenë forca nxitëse për qeverinë, e cila do të mbështesë fuqishëm projekte të tilla të rëndësishme dhe forcimin e sistemit arsimor privat në përgjithësi.
25 Gusht 2009