E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sindikata e Bashkimeve Profesionale kundërshton projektligjin e qeverisë për marrjen e pronave



Kryetari i Sindikatës së Bashkimeve Profesionale të Pavarura, Gëzim Kalaja, ka reaguar dje duke kundërshtuar projektligjin më të fundit të qeverisë që synon marrjen e pronave të fituara me dekret presidencial. Kreu i kësaj sindikate, Kalaja, e cilësoi projektligjin e deklaruar në mbledhjen e fundit të qeverisë nga kryeministri Berisha si një përpjekje për të zhdukur sindikalizmin në Shqipëri. “Projektligji është hartuar në mënyrë të njëanshme nga ekspertë të Ministrisë së Drejtësisë. Ai synon zhdukjen e sindikalizmit në Shqipëri. Sindikatat kanë të drejtë t’i shfrytëzojnë këto prona deri në vitin 2020. Kjo është përcaktuar qartë me dekretin e presidentit Meidani në vitin 1998 dhe ne kemi të drejtë dhe jemi pronarë të ligjshëm të këtyre pronave deri në vitin 2020. Ne do ta kundërshtojmë këtë nismë të qeverisë dhe do të kërkojmë të ulemi në bisedime me kryeministrin Berisha apo dhe me ekspertë të tjerë qeveritarë për të argumentuar kundërshtitë tona”, - është shprehur dje për mediat kryetari i Sindikatës së Bashkimeve Profesionale të Pavarura. Vetëm pak ditë më parë kundër këtij projekti është shprehur edhe Konfederata e Sindikatave. Kreu i Konfederatës, Kol Nikolli, tha në një konferencë shtypi se shteti nuk ka të drejtë të bëjë diçka të tillë. “Konfederata e sindikatave të Shqipërisë dënon me forcë projektligjin që qeveria shqiptare kërkon të kalojë në Parlament për shtetëzimin e pronave të sindikatave. Vetështetëzimi si një teori dhe praktikë antidemokratike dhe antipunëtore nuk do të njihet dhe nuk do të lejohet nga ana jonë. Këto prona janë ndërtuar jo me paratë e buxhetit komunist, por me kontributet e punëtorëve që derdheshin në arkën e Bashkimeve Profesionale”, - është shprehur Nikolli. Sindikatat kanë pasuri në troje e ndërtesa kryesisht në zonat bregdetare të vendit. Me dekret presidencial këto prona iu dhanë sindikatave në mënyrë që të përdoren për biznes apo të jepen me qira, por të mos shiten për një afat të caktuar kohor. Gjatë mbledhjes së fundit të qeverisë Berisha lajmëroi se qeveria do ta miratojë shumë shpejt ligjin, i cili ua merr këto prona sindikatave dhe shteti bëhet aksioner i tyre.

25 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›