E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria e re, kandidaturat për ministra të Lëvizjes Socialiste për Integrim

Meta, Prifti, Vasili dhe Haxhinasto, emrat e mundshëm për ministra. Formula përfaqësuese e LSI-së në kabinetin e ri qeveritar

Shaban Sulçe
Ndonëse kanë mbetur pak ditë nga zhvillimi i negociatave zyrtare për formimin e qeverisë së re, midis kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të LSI-së Ilir Meta, në Lëvizjen Socialiste për Integrim po kristalizohen gjithnjë e më shumë kandidaturat e mundshme, të cilat pritet ta përfaqësojnë atë në kabinetin qeveritar. Ndërsa flitet për një formulë përfaqësimi 3+1 (tre ministri plus kryetar parlamenti ose zëvendëskryeministër) të LSI-së në qeverinë e re, katër duket se janë kandidaturat kryesore të kësaj partie për postet ministrore. Bëhet fjalë për kreun e LSI-së, Ilir Meta, për nënkryetarin Dritan Prifti, për sekretarin e Përgjithshëm Petrit Vasili, si dhe për kryetarin e Komitetit Drejtues Kombëtar, Edmond Haxhinasto.

Meta

Gjatë këtyre dy muajve, emri i kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, është lakuar si kandidaturë potenciale për postin e rëndësishëm të kryetarit të Parlamentit, por duket se ky opsion ra, për t’u zëvendësuar me opsionin zëvendëskryeministër, plus ministër i Jashtëm. Nga ana tjetër, pak ditë më parë, prezenca e kreut të LSI-së në qeverinë e re u konfirmua edhe nga një deklaratë zyrtare e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kreu i KDK-së së LSI-së, Edmond Haxhinasto, tha se pavarësisht nga pozicioni që do të mbajë në qeverisjen e ardhshme, lidershipi i LSI-së do të jetë në qeveri.

Prifti
Deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, i zgjedhur në qarkun e Fierit, është konsideruar si ministri i sigurt i LSI-së në qeverinë e re që në ditët e para kur Meta dhe Berisha shprehën vullnetin e tyre për bashkëqeverisjen midis PD-së dhe LSI-së. Nga ana tjetër, Ministria e Energjetikës ka qenë vazhdimisht e lakuar si dikasteri kryesor që do të përfitojë LSI-ja nga marrëveshja e bashkëqeverisjes. Drejtimi i kësaj ministrie duket se do t’i besohet deputetit Prifti. Kjo edhe për shkak të eksperiencës së tij, ku Prifti ka qenë ministër i Energjetikës në qeverinë e Ilir Metës të disa viteve më parë.

Vasili dhe Haxhinasto

Dy kandidaturat e tjera potenciale të LSI-së për në kabinetin e ri qeveritar duket se janë emrat e sekretarit të Përgjithshëm Petrit Vasili dhe kreut të KDK-së, Edmond Haxhinasto. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, konsiderohet si një prej kandidaturave potenciale për drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë, duke qenë se ai ka ushtruar edhe detyrën e zëvendësministrit në qeverinë e Ilir Metës. Gjithashtu, një tjetër kandidaturë potenciale për në kabinetin e ri qeveritar është edhe ajo e kreut të Komitetit Drejtues Kombëtar, Edmond Haxhinasto, një prej figurave kryesore të LSI-së. Haxhinasto ka një karrierë të gjatë në diplomacinë shqiptare, ndërkohë që ai ka qenë edhe shef i kabinetit të Metës në kohën kur ai drejtonte Ministrinë e Jashtme.

Negociatat për qeverinë e re, më 2 shtator

Negociatat zyrtare PD-LSI për formimin e qeverinë së re pritet të zhvillohen më 2 shtator. Në fakt, takimi zyrtar midis kreut të LSI-së Ilir Meta dhe kryeministrit Sali Berisha pritej të zhvillohej në datën 20 gusht, por ky takim u shty për të paktën dy arsye. Një nga arsyet lidhet me faktin se ende nuk dihet data se kur presidenti Topi do të thërrasë kreun e maxhorancës, Sali Berishën, për t’i paraqitur kabinetin e ri qeveritar.
Gjithashtu, shtyrja e negociatave deri në nisjen e punimeve të Kuvendit bëhet dhe për vazhdimin normal të punës së ministrave aktualë në detyrë dhe moskrijimin e vakuumit në punën e tyre që do të vinte nga përcaktimi i ministrave të rinj. Arsyeja e dytë e zhvillimit të negociatave në ditët e para të shtatorit lidhet dhe me Kongresin e Jashtëzakonshëm të socialistëve. Periudha e ngarkuar politikisht dhe mediatikisht me zhvillimet brenda selisë rozë do të konfondonte klimën mes zhvillimeve në PS dhe negociatave për një bashkëpunim të tillë, për herë të parë në vendin tonë, mes pozitës dhe opozitës në qeverinë e re.

25 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›