E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi: Nëse Meta firmos me PD-në, largohemi nga LSI-ja



Pesë anëtarët e Kryesisë që kritikojnë vendimin politik të LSI-së për bashkëqeverisje me PD-në kërcënojnë me largim nga LSI-ja në rast se kreu i kësaj partie, Ilir Meta, do të nënshkruajë me kryeministrin Sali Berisha marrëveshjen për formimin e qeverisë së re. Vendimi u bë dje publik nga anëtari i Kryesisë, Fatos Klosi, i cili deklaroi se ai së bashku me anëtarët e Kryesisë së LSI-së, Pëllumb Xhufi, Mustafa Muçi, Ndre Legisi dhe Zabit Brokaj, do të largohen nga LSI-ja në rast të zyrtarizimit të kësaj marrëveshjeje. Nga ana tjetër, Klosi mohoi çdo lloj bashkëpunimi të këtij grupimi me Partinë Socialiste.
Një grup anëtarësh të Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, mes të cilëve Fatos Klosi, Sabit Brokaj Ndre Legisi, Mustafa Muçi, të kryesuar nga Pëllumb Xhufi, i kanë bërë thirrje publikisht kryetarit të kësaj partie, Ilir Meta, të ndalojë sa më parë bashkëpunimin me Berishën dhe të riparojë vendimmarrjen. Në një konferencë për shtyp, të organizuar jo në ambientet e LSI-së, Pëllumb Xhuf tha se një vendimmarrje e tillë do ta shndërronte LSI-në në një parti numrash për të arritur votat në Parlament. “Ne vërtet besojmë se janë të gjitha arsyet për të riparuar sa më parë vendimmarrjen e pashkak, të nxituar, e aspak të natyrshme për ta nxjerrë Lëvizjen tonë Socialiste nga misioni dhe programi i saj politik, nga spektri i majtë i politikës shqiptare dhe për ta shndërruar thjesht në parti numrash dhe pjesë e llogarive qeveritare për të arritur numrin magjik 71”, - deklaroi Xhufi. “Ne, sikurse shumë anëtarë të LSI-së, nuk mund të pranojmë që përpjekjet tona të përbashkëta disavjeçare dhe votat e shqiptarëve, të cilët besuan te ne dhe LSI-ja, të zhbëhen tërësisht, pa asnjë shkak të qenësishëm, për t’u vënë në shërbim të pushtetit arbitrar, personal të kryeministrit të pavotuar të Gërdecit, përgjegjësit të vetëm të deformimit të procesit demokratik të vendit dhe bashkautorit të puçit kushtetues të 21 prillit”, - vijoi ai. Por kjo deklaratë u konsiderua nga Lëvizja Socialiste për Integrim si një diversion i qëllimshëm i Partisë Socialiste.

25 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›