E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takon homologun francez. Fijo: Kush do të hyjë në BE, duhet të bëjë reforma

Share

-Kryeministri francez e falënderon Berishën për interesin e Shqipërisë për gjuhën dhe kulturën franceze

Është një mënyrë e mirë kjo e përdorimit të gjuhës për kapital politik. Kështu, para pak ditësh, Ministri i Arsimit shpalli se tani e tutje kushdo që përgatit diplomat master do i bëjë në anglisht. Ambasadori amerikan, i pranishëm aty, u entuziazmua pa masë.

Para dy ditësh, Ministri i Arsimit deklaroi se gjermanishtja do jetë gjuhë e dytë. Edhe ambasadorja e këtij vendi do jetë gëzuar pa masë.

Para pak kohësh gëzoi qeverinë italiane kur tha se italishtja është gjuhë bazë në Shqipëri. Edhe ambasadori italian u ndje i gëzuar.

Sa për gjuhën franceze, mjafton që jemi pjesë e organizatës së frankofonisë.

Nuk ka asgjë të keqe që shqiptarët pëlqejnë gjuhët e huaja, por kjo qeveri e përdor diçka si një mjet për tu treguar shteteve të mëdha të Perëndimit se ne kolonia e vogël, jemi të përkushtuar ndaj gjuhës e kulturës së tyre.

E kështu, kryeministri francez, Fransua Fijo, në deklaratën për shtyp që ka publikuar pas takimit me Berishën ka theksuar se është i lumtur për interesin e Shqipërisë për gjuhën e kulturën franceze.

Në njoftimin e shkurtër të kryeministrisë franceze, theksohet se marrëdhëniet mes Francës e Shqipërisë janë të mira, çka e tregon edhe vizita.

Në fund të njoftimit të francezëve, thuhet se kryeministri Fijo i ka kujtuar Berishës se Franca mbështet perspektivën evropiane të Shqipërisë, por ky proces supozon se vendet me ambicie duhet të bëjnë reformat e nevojshme për këtë qëllim.

Ndërkohë në njoftimin e kryeministrisë sonë thuhet se Berisha ka folur për histori suksesi të kompanive franceze në Shqipëri. ai ka përmend kompaninë Sagem për prodhimin e dokumenteve biometrikë, Eurocopter për helikopterët dhe së fundmi Carrefour. Megjithatë dy projektet e para kanë pasur kosto edhe ekonomike, por edhe politike për Shqipërinë.

Në njoftimin e kryeministrisë sonë thuhet se Berisha ka deklaruar se situata në Shqipëri është normalizuar. Kryeministri Berisha e njohu homologun e tij edhe me zhvillimet politike ne vend. Ai theksoi se, pas dy vjet bllokimi të jetës politike nga opozita, i cili dëmtoi interesat e vendit, ajo pranoi ofertat politike të bëra nga mazhoranca gjatë dy viteve dhe tashme situata politike dhe jeta parlamentare janë  normalizuar dhe një sërë reformash me rëndësi për procesin e integrimit europian, përfshirë atë zgjedhore dhe miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, kanë filluar të zbatohen, thekson njoftimi i kryeministrisë.

Si gjithmonë, kryeministri ynë i ka bërë një ftesë homologut francez dhe ai e ka pranuar me dëshirë. Pse ka shans ta refuzojë?

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›