E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria do t’i plotësojë me shpejtësi 12 prioritetet e progres raportit të KE-së”

10-12-2011 / Gazeta 55

Fatos Beja, deputet i PD-së

“Sot kemi një funksionim normal të parlamentit dhe me çtensionimin e klimës politike në vend Shqipëria do t’i plotësojë me shpejtësi 12 prioritetet e progres raportit të KE-së”.
Kështu u shpreh dje kryetari i delegacionit parlamentar shqiptar, Fatos Beja, në takimin e Komitetit të Stabilizim-Asocimit Shqipëri-BE. Duke marrë fjalën në këtë takim deputeti Beja tha se fryma e bashkëpunimit jo vetëm ka ulur tensionet në shoqërinë shqiptare, por na ka lejuar të punojmë bashkërisht në realizimin e prioriteteve të para të progres raportit të KE-së. 
Ai informoi europarlamentarët për konsensusin e arritur së fundi në Kuvend, ku vuri në dukje bashkëpunimin PD-PS në krijimin e një komisioni ad-hoc për reformën zgjedhore, në përmbushje të rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR.
Beja theksoi se me propozimet e grupeve parlamentare të mazhorancës dhe opozitës është krijuar grupi i punës për rishikimin e rregullores së Kuvendit, si dhe hartimi i një kalendari të posaçëm për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, miratimi i të cilave duhet të përfundojë brenda muajit mars 2012. Në këtë kuadër, tha Beja, deri tani në parlament kemi miratuar bashkërisht kodin detar, rrugor, hekurudhor dhe ajror.
Duke folur për plotësimin e kriterit ekonomik, ai theksoi se Shqipëria vijon ta përballojë  krizën e përgjithshme duke ruajtur stabilitetin makroekonomik.
Kjo, sipas Bejës, vërehet dhe në treguesit e buxhetit të ri, të miratuar së fundi në parlament, i cili parashikon një rritje 4.3 për qind; inflacion rreth 3 për qind, rritje pagash dhe pensionesh, etj. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›