Berisha takon kongresmenin e SHBA
Kryeministri Sali Berisha u takua dje me kongresmenin Robert Aderholt, anëtar i Komisionit të Sigurisë dhe Bashkëpunimit me Europën në Kongresin Amerikan, i njohur si Komisioni i Helsinkit. Sipas një njoftimi të Këshillit të Ministrave, kongresmeni Aderholt theksoi se SHBA-të do të vijojnë këtë mbështetje ndaj Shqipërisë, në të gjitha fushat e bashkëpunimit, në interes të së mirës së të dy kombeve tanë miq. "Në vijim, Kryeministri Berisha e njohu kongresmenin Aderholt me reformat e rëndësishme të ndërmarra nga Qeveria shqiptare në të gjitha fushat dhe arritjet e rëndësishme të kësaj periudhe, në veçanti vendimin e Këshillit për shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në BE dhe përgatitjen e dorëzimin e përgjigjeve të Pyetësorit në KE nga ana e Shqipërisë, si dhe vendimin e fundit historik të Komisionit për të propozuar heqjen e vizave për shqiptarët", thuhet në njoftimin e Qeverisë. Sipas Berishës "Pas anëtarësimit në NATO, kjo është ngjarja më e rëndësishme për qytetarët shqiptarë, e cila do i sjellë ata më pranë Evropës dhe realizimit të ëndrrës së kombit për rikthim në familjen europiane". Nga ana e tij, kongresmeni Aderholt vlerësoi reformat e jashtëzakonshme dhe arritjet, të cilat i cilësoi si mbresëlënëse. Në të njëjtën kohë ai vlerësoi realizimin e projektit të rrugës Durrës-Kukës. Gjatë takimit kongresmeni Aderholt shprehu edhe njëherë vlerësimin për zgjerimin dhe thellimin e këtij bashkëpunimi shumë të suksesshëm mes dy vendeve në të ardhmen.