Berisha takon krerët e bashkësive fetare: Shqiptarët falenderojnë Zotin për ndihmën dhe bekimin e çmuar të vitit që po lëmë pas

Kryeministri i vendit Sali Berisha ishte sot i ftuar në drekën e shtruar nga Komuniteti Shtetëror për Kultet, pas Krishtlindjeve, me krerët e bashkësive fetare të Shqipërisë për të festuar së bashku Vitin e Ri. Gjatë përshëndetjes së tij, kryeministri Berisha u shprehu mirënjohje udhëheqësve të besimeve fetare në Shqipëri për ndihmesën e çmuar që kanë dhënë dhe japin, me gjithë përpjekjet e këtij kombi për të ndërtuar idealet e tij demokratike dhe të lirisë, ideale këto sa hyjnore aq edhe njerëzore. “Jemi mbledhur në këtë drekë me udhëheqësit e besimeve shpirtërore të shqiptarëve, së pari për të falënderuar Zotin bashkërisht për ndihmën, mbështetjen dhe bekimin e tij për vitin që lamë pas. Shqiptarët duhet t’i jenë mirënjohës Atij, sepse ky ka qenë një vit i vendimeve të mëdha dhe shumë pozitive për ta”- u shpreh kryeministri. Duke uruar që viti që vjen të jetë një vit edhe më i mirë për shqiptarët dhe për të gjithë njerëzit kudo që janë, Kryeministri Berisha u shpreh: “Të lutemi së bashku që viti që vjen të jetë një vit edhe më i mirë për të shqiptarët dhe për të gjithë njerëzit kudo që janë. Të punojmë me përkushtim në mënyrë që të festojmë çdo vit e më mirë dhe gjendja të ndryshojë për mirë gjithnjë e më shumë. Unë dhe një herë dua tu uroj gëzuar udhëheqësve të besimeve fetare, si dhe të shpreh kënaqësinë time që spektri i këtyre besimeve është fuqizuar dhe pasuruar. Me ne këtu sot, krahas udhëheqësve të besimit të krishterë, ortodoks, katolik e myslimanë janë dhe ungjillorët e Shqipërisë. Pak më javë më parë u emërua Rabini i parë. Pra që të gjitha këto së bashku e bëjnë më të pasur dhe më të çmuar pasurinë shpirtërore fetare të këtij kombi”- përfundoi urimin kryeministri i vendit.
...