E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kuvendi, Berisha: Kërkesa e PS-së, e turpshme, kërkojnë kontroll dhe jo hetim të zgjedhjeve!

27-12-2010 / Gazeta 55

Nis punimet seanca plenare e Kuvendit. Nënkryetari i Parlamentit, Turku: Mazhoranca, pro ngritjes së komisionit hetimor, por në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën


UPDATE- Kryeministri Sali Berisha reagoi sot në Kuvend ndaj kërkesës së opozitës për zgjedhjet e 28 qershorit, duke e konsideruar propozimin si thjesht një maskë të Edi Ramës për të shpëtuar veten nga maskarada e gjatë 18 mujore. Nga foltorja e kuvendit, shefi i ekzekutivit Berisha, tha se misioni dhe qëllimi i opozitës së Edi Ramës nuk është zgjidhja e ngërçit politik dhe as ngritja e komisionit hetimor, por thellimi i prirjes ultra-destruktive për të shkatërruar dhe jo ndërtuar. Sipas Berishës, Edi Rama vjen në skenën politike shqiptare si zëdhënësi ekstrem i nomeklaturës së bllokut komunist. “Nuk jam aspak i habitur, as i çuditur për faktin se pse, ju po tërhiqeni tërësisht nga komisioni hetimor. Ju të nderuar deputetë, harroni se muret e këtij parlamenti kanë një memorie. Mediat e këtij vendi kanë një arkivë. Qytetarët e këtij vendi kanë një memorie. Dhe kjo memorie thotë se ju, prej një viti e gjysmë, u angazhuat në qëndrimin më absurd që Evropa ka njohur nga një opozitë e një vendi të lirë. Ju harruat se misionet e pamundshme i ndërmarrin vetëm ata të cilin fakultetet mendore i kanë të errësuar plotësisht nga faktorë fondamentalistë, faktorë ekstremë, sepse pasioni i tyre i parë nuk është ndërtimi, por shkatërrimi. Kryetari juaj, i cili zbret nga një familje e vjetër pushteti, parashuton në skenën politike si zëdhënës kryesor, i bllokmenëve, si produkt total i bunkerit bllok, si një njeri që kjo psikologji, ky mentalitet nuk e lejon, tu ofrojë qytetarëve shqiptarë gjatë 12 viteve në politike përveçse truke, shpifje, trillime dhe mashtrime. Një njeri i cili nuk ka qenë i zoti deri më sot, veç disa bojëra në pallatet e Tiranës. Përveç këtyre, të nxjerra nga një koleksion i tij i dështuar. Asnjë gjë tjetër nuk ka bërë për jetën e tyre, të ardhmen e tyre dhe të sotmen e tyre. Ky njeri, është i ngrujtur dhe i edukuar, i formuar si armik i vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë. ky njeri çuditi botën në vitin 2007, kur për certifikatat i lëshonte vetë, i kontrollonte në 90%, i thonte diplomatit të huaj se unë jam shtrirë këtu dhe do vdes. Sindromi i vdekjes është në kokën e tij. Unë tani po shtrihem përdhe dhe po vdes. Nuk ngrihem më i gjallë. Ishte një atak histerik tipik i tij. Kjo ishte një histeri e mirëfilltë e tij. Dhe ky zotëri mendoi se tërhoqi zvarrë jetën politike të vendit, pa çka se vendimin e mora me Fatos Nanon dhe jo me të dhe u detyrua të ulet dhe të pranojë, atëherë kur e pa se ishte tërësisht jashtë loje. Ky u zotua me të gjithë potencialin e tij për të prishur zgjedhjet, por edhe unë u zotova me të gjitha potencialet e mia për të bërë zgjedhjet më të mira në histori. Unë bëra lëshime, sepse nëse ai nuk hynte në zgjedhje, i plagoste zgjedhjet. Pak ditë para zgjedhjeve tentoi t’i bllokojë, por i futën dy këmbët në një këpucë dhe mori pjesë. Ky zotëri i humbi zgjedhjet. Bëri gjithçka për të hyrë në koalicion me Sali Berishën. Por vendi kishte nevojë për opozitë. Dhe u arrit ndërtimi i koalicionit të Integrimit. Por, ju, kryetari juaj iu tha se jo, nuk kemi humbur, nuk njohim institucionet nuk njohim rezultatin. Ai është tallur me ju”- iu drejtua Berisha deputetëve të PS-së. Kryeministri tha se në takimin me zyrtarët e Brukselit, Edi Rama u shpreh se, njoh rezultatin, por nuk njoh institucionet. “Më vonë ky zotëri kërkoi Komisionin Hetimor. Pranova pikë për pikë, ato që rezoluta e PE kërkon një ditë më vonë. Por ai kishte një patologji të tmerrshme. Vizat! Vizat ishin tmerri dhe ferri i tij. Vizat i prishnin atij gjumin e natës. Harruat ju se orkestruar gjithçka për të bllokuar procesin e vizave. Harruat ju se kryetari juaj dilte lakuriq nëpër plazhet e Evropës”- deklaroi kreu i qeverisë. Kryeministri tha se rezultati i Shkodrës, njohu psikotipin obsesiv të zotërisë së tij, numëroi me mijëra vota me një precizion të jashtëzakonshëm. “Tani thotë nuk do numërojmë se vizat i morëm. Me gjithë qëndrimet e tij ultra-destruktive, asgjë s’ma zbeh respektin për opozitën. Qëndrova këtu me ju deri në 5 të mëngjesit javën e kaluar, me vullnetin më të hekurt që të arrijmë një rezultat. Nga 9 nene të kërkesës tuaj, 8 prej tyre kërkonin hetimin e dyshimit, dhe s’përmendej në asnjë rast fjala fakt, grup fakt dhe prova. Kërkesave iu shtuam disa pika sipas Kushtetutës. Unë kërkova një pikë të 4-ët, t’i në atë pikë bëre katrat e tua. Si përfundim, seancën e kaluar, kërkuat të shtyhet seanca dhe diskutimi për komisionit. Dy ditë më parë më njohën me propozimet e Edvin Ramës, të cilat janë thjeshtë maska. Në kërkesën e PS-së s’përmendet fare fjala hetim. Pse tani është hequr fjala hetim, në vend të hetimit është vënë fjala kontroll”- tha Berisha. Sipas kryeministrit, kjo kushtetutë dhe kjo rregullore e parlamentit, kontrollin ia japin tërësisht komisioneve permanente parlamentare. Është atribut kushtetues i komisioneve të përhershme parlamentare. Hetimi jo. Hetimi është atribut i atij komisioni që ngrihet sipas nenit 77 të Kushtetutës. Pse talleni me këtë kushtetutë. Një ditë ia vini emrin Kushtetutë dhe një ditë tjetër i vini një emër tjetër. Kontrollin e bëjnë komisionet permanente, parlamenti. Ti z.Xhafa, je dhe ish ministër Drejtësie, i dije shumë mirë, pse nuk iu thua deputetëve që kjo është një maskë. Po lozni me maska. Çfarë paragjykimi bëj unë nëse i referohem Gjykatës Kushtetuese. Çfarë paragjykimi bëj unë nëse i referohem Kodit Zgjedhor. Ju nuk doni komision hetimor”- tha Berisha. Në përfundim kryeministri kërkoi nga opozita të pranojë ngritjen e komisionit hetimor të bazuar mbi fakte dhe të dhëna dhe jo dyshime. “S’mund të shkruhet kurrë një hetim pa fakte. Më mirë i hidhni ato diploma, t’ua marrë lepurushi se s’i keni për gjë tjetër. Jam gati të firmos komisionin, të hetojmë  çdo dokument, por nuk jam gati të shkel kushtetutën se një njeri udhëhiqet nga kompleksi i turpit dhe pendesës. Ai iu futi ju në grevë urie për kutitë dhe sot thotë s’dua kutitë. Por, i dua unë kutitë, për hir të socialistëve shqiptarë”- deklaroi Berisha, duke kritikuar kërkesën e PS-së dhe tërheqjen e saj nga objekti fillestar, hapja e kutive të votimit, për të cilën opozita u fut në grevë urie si dhe paralajmëroi për mosbindje civile në të gjithë vendin.  


Seanca sot në Kuvend


Seanca plenare nisi punimet sot pasdite në një mbledhje të pazakontë nëse i referohemi kalendarit të punimeve të Kuvendit, të cilat sipas rregullores duhet të ishin mbyllur që javën e kaluar, vetëm për diskutimin e kërkesës së Partisë Socialiste për ngritjen e Komisionit Hetimor, për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009-ë. Mazhoranca dhe opozita nuk arritën javën e kaluar të gjejnë një marrëveshje mes tyre. Kryeministri Berisha pranoi kërkesat e socialistëve për shumicë në komisionin hetimor duke i dhënë tre vota kryetarit dhe hetimin e materialeve zgjedhore dhe kërkoi vetëm një marrëveshje të shtohej edhe pika që kërkonte hetim sipas kodit zgjedhor dhe vendimeve të gjykatës Kushtetuese. Por pasi anëtarë të komisionit të Ligjeve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste u ulën gjatë orëve të para të mëngjesit të së premtes për të ri-negociuar për të dytën herë gjate seancës plenare, deputeti socialist Fatmir Xhafaj bëri publik qëndrimin e selisë rozë ku kërkohej që të shtohej edhe pikë tjetër, sipas të cilës ngarkohej Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të vendoste në dispozicion të hetimit kuvendor, materialet zgjedhore. Ndërsa nuk merrej në konsideratë propozimi i kryeministrit për hetim sipas Kodit Zgjedhor dhe vendimeve të gjykatës Kushtetuese. Pikërisht, këto dy propozime janë nyjet që duhet të zgjidhin negociatorët e mazhorancës dhe opozitës në mënyrë që ngërçi politik i cili zgjat prej më shumë se 1 viti e gjysmë, të ketë një fund.


Turku: Mazhoranca, ‘pro’ ngritjes së komisionit hetimor, por në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën


Thelbi i çështjes së hetimit të zgjedhjeve të 29 qershorit, nuk ka të bëjë me atë çka përmbajnë brenda materialet zgjedhore që kërkohet të hetohen, por me plotësimin e rregullave që përmban ligji. Kështu e ka komentuar çështjen e përplasjes mes dy palëve politike për hetimin, nënkryetari i parlamentit Ardian Turku. Sipas tij, që të mos ketë kontestime, duhet që komisioni hetimor për zgjedhjet, të jetë konform legjislacionit të duhur. “Përmbajtja e materialeve zgjedhore është e njëjtë, me apo pa komision hetimor, problemi qëndron te neni 178”- shtoi Turku. Duke thënë ndër të tjera se nuk e kupton përse opozita u druhet vendimit të gjykatave dhe përse nuk e dërgoi çështjen pranë tyre për ta zgjidhur. “Nuk di që kjo të jetë një seancë maratonë, dhe shpresoj që ngërçi politik të zgjidhet sa më shpejt. Seanca u shty për mos dakordësi nga të dyja palët e megjithatë le t’ia lëmë pasdites që të na tregojë se çfarë do të ndodhë”, tha ai. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›