Qeveria mban nën kontroll deficitin buxhetor

Në bazë të të dhënave nga ministria e Financave për 11-mujorin, gjatë kësaj periudhe janë shpenzuar afërsisht 19 miliardë lekë më pak
Qeveria shqiptare ka mbajtur gjatë gjithë vitit 2010 nën kontroll deficitin buxhetor, duke ndjekur një politikë shumë të shtrënguar të shpenzimeve. Në bazë të të dhënave nga ministria e Financave për 11-mujorin, gjatë kësaj periudhe janë shpenzuar afërsisht 19 miliardë lekë më pak. Deri në muajin nëntor u shpenzuan në total 316 miliardë lekë, ndërsa ishte një parashikim për 335.5 miliardë lekë. Shpenzimet minimale shënojnë, shpenzimet për personelin, me 2 miliardë më pak për 11 muaj. Megjithatë, të ardhurat vijojnë të jenë nën parashikimin e bërë. Kështu, për 11-mujorin, sipas të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave, qeveria ka mbledhur rreth 5 miliardë lekë më pak nga taksat dhe burimet e tjera të të ardhurave.
Deri në muajin nëntor, të ardhurat e grumbulluara shënonin rreth 294 miliardë lekë, ndërsa parashikimi I bërë ishte për afërisht 299 miliardë lekë. Rënia më e thellë e të ardhurave është shënuar nga pushtetit vendor, me rreth 2.9 miliardë lekë. Por, me gjithë rënien e të ardhurave, ashtu siç ka deklaruar qeveria, po mban nën kontroll të rreptë deficitin buxhetor. Për 11-mujorin, deficiti ose borxhi i ri i marrë nga shteti për këtë periudhë është 13.5 miliardë lekë më i ulët nga plani, pasi qeveria ka kryer 19 miliardë lekë më pak shpenzime nga parashikimi në buxhet. Deficiti deri në nëntor të vitit 2010, shënonte rreth 23 miliardë lekë, ndërsa parashikimi ishte për rreth 37 miliardë lekë.