E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: E gatshme t’i përgjigjem ligjit, jo kurtheve të tellalles së keqpërdorur, Fela

Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu ka reaguar përsëri sot ndaj akuzave të deputetes socialiste Ermonela Fela, e cila e urdhëruar nga burracaku dy metrosh, përcjell deklarata të përçarta, për të fshehur korrupsionin galopant të kryetarit të Bashkisë Tiranë.
Bregu e ka akuzuar Ramën si hajdut që vjedh nën emra kafshësh të buta, ndërsa ka theksuar se fakti që ai është bërë pis i tëri, ai që s’njeh as familje dhe as miqësi, s’mund të nxijë imazhin e familjes Ajazi. Në këtë aspekt, ministrja Bregu ka sqaruar se sulmet e kryebashkiakut bëhen me qëllim për të mbuluar aferat e rënda antiligjore, duke nisur nga lejet e ndërtimit, të cilat i marrin vetëm 3-4 firma seksere të të tij, ndërsa nga ana tjetër përbalt të drejtën e një grupi investitorësh të cilët kanë fituar sipas ligjit të drejtën për të investuar paratë në energjetikë.
“Në respekt të bindjes sime të pandryshueshme për rolin e grave në politikë, dje iu përgjigja tellalles Fela në vend të urdhëronjësit Rama. Sot po i drejtohem Edvin Kristaq Ramës që për të dytën ditë radhazi në përpjekje mjerane qesharake për të mbuluar gjobat e sekserëve të tij për 12 vite rresht; për çdo leje ndërtimi të dhënë në Tiranë; për të mbuluar gjobën e tij prej 20 përqind apo miliona euro për ndërtimin e qytezës tek zona e Liqenit nëpërmjet sekserit të tij Lepuri; për të lënë në harresë qytezën Delijorgji dhe faktin që 80 përqind e lejeve të ndërtimit në Tiranë i marrin vetëm katër firma seksere të tij, u mor me kuotat modeste të kunatit tim në “Consorcium Diteko” sh.p.k prej 6 partnerësh që kanë nënshkruar një kontratë ligjore të rregullt dhe që po brenda ligjeve dhe rregullave kanë fituar të drejtën për të investuar me paratë e tyre në energjetikë”- u shpreh ministrja e Integrimit.
Sipas saj, burracaku Edi Rama, përdor gratë si zakonisht, për përbaltje dhe flijim, ndërkohë që nga ana tjetër, s’ka guxim të përballet me akuzat.
“Ti burracak dymetrosh ke ditë që s’del pas shpalljes së skandalit të fundit të sekserëve të tu; ti burracak dy metrosh që përdor gratë për përbaltje dhe për flijim; ti që vjedh nën emra kafshësh të buta, ti që s’njeh as familje, as miqësi, gjej guximin sadopak të kesh, të dalësh të përballesh me akuzat për korrupsionin tënd galopant 12 vjeçar dhe miliona euro.
Ti që je i bërë pis i tëri nuk më bën pis dot mua dhe familjen, vetëm se një të tillë nuk e ke vetë, nuk mund të pastrohesh duke bërë pis të tjerët, ti që jeton mes dyzimit e mbretërisë së frikës, nuk mund të bësh gjë tjetër si pinjoll blloku që je, veçse të jetosh në kohën e biografive. Duke mos qenë i aftë të gjeje dhe shkeljen më të vogël në kontratë, përdore sot përsëri një grua për të na kujtuar të gjithëve se ti që ke marrë badigardë të kthyer në ndërtuese dhe i ke bërë politikanë, rrobaqepës të kthyer në pronarë restorantesh dhe sot politikanë, t’i ish piktor i dështuar i kthyer në menaxher grykës i kryeqytetit, na the sot se që të kesh restorant duhet të jesh kuzhinier, që të kesh mobileri duhet të jesh marangoz e që të investosh në energjetikë duhet të jesh inxhinier hidrik”- deklaroi më tej, Bregu.
Ajo i bëri thirrje publikisht Edi Ramës, të gjejë guxim dhe t’u japë përgjigje akuzave të panumërta që rëndojnë mbi, për përfshirje të afera të rënda korruptive dhe ryshfeti.
“Shqiptarët presin përgjigjen nga t’i për akuzat e bëra përditë me radhë mbi kontratat e trojeve të ndërtimit ku ti je pjesë në emër të sekserëve të tu lepuj. Unë i jam përgjigjur dhe do t’i përgjigjem ligjit e institucioneve dhe jo kurthit tënd të pisët”- përfundoi deklaratën e saj për shtyp, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›