E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi, Spahiu: Duhet debat i gjerë dhe strategji kombëtare

Korçë- Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, ka deklaruar nga Korça se nuk mund të ketë vendimmarrje të heshtura për çështje të rëndësishme, si ajo e regjistrimit, përkundrazi, sipas tij, nevojitet një debat i gjerë publik, që të mbrojë interesat kombëtare dhe të gjejë një zgjidhje kushtetuese për situatën. “Çështjet e lidhura ngushtë me identitetin kombëtar, prekin ndjenjat dhe interesat e të gjithë kombit shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve të shtetit shqiptar, prandaj ato nuk mund të zgjidhen pa një debat transparent dhe një strategji kombëtare”, - tha dje Spahiu. Ai sqaroi se qytetarët janë pro regjistrimit, por kundër falsifikimit, kundër vetëdeklarimit, i cili nuk mbështetet mbi kritere objektive; kundër shitjes, blerjes, tregtimit në cilëndo mënyrë të kombësisë së shtetasve shqiptar. “Ne jemi pro regjistrimit, pro standardeve të Bashkimit Europian, por jemi kundër standardeve të paqëna dhe kundër standardeve selektive, që nuk zbatohen nga vet shtetet anëtare të BE-së. Ne jemi pro regjistrimit, por jemi kundër presionit të jashtëm, i cili ushtrohet mbi një çështje të tillë të rëndësishme të dinjitetit dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve dhe kërkojmë që çështje të tilla, të zgjidhen dhe trajtohen nga kombi ynë në mënyrë të pavarur”, - tha Spahiu.

I.Vreto

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›