E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Berisha të dorëhiqet, gënjeu për Gërdecin”

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste rikërkon dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha, pasi, sipas saj, ai ka gënjyer për Gërdecin. Kryetari i komisionit të Ligjeve, Sigurisë dhe Administratës Publike në Asamblenë Kombëtarë të PS, Ylli Manjani, tha se ministri i Drejtësisë, në një rrëfim për shtyp pranoi se është autori i ligjeve të tragjedisë së Gërdecit. “Në kryerjen e detyrës së drejtorit të Antikorrupsionit, ministri konfirmoi me paturpësi se na paskësh qenë detyrë e tij të jepte ndihmë ligjore për të shkruar ligjet e vrasjes dhe plagosjes masive të njerëzve dhe shkatërrimit të pasurisë së tyre. Me pak fjalë, zoti ministër rrëfeu se si drejtori i Antikorrupsionit na i paska shërbyer korrupsionit shtetëror, të trafikut të municioneve me pasojë vdekjen masive të shqiptarëve, plagosjen dhe shkatërrimin e pasurisë së tyre”, - tha ai. Me këtë deklaratë, sipas Manjanit, ministri i Drejtësisë zbuloi një të vërtetë të madhe edhe për dijeninë e Kryeministrit të vendit, ndërsa kujtoi deklaratat e Berishës, sipas të cilave, ai përbetohej se as që e dinte se ekzistonte Gërdeci. Manjani theksoi se ish-drejtori i tij i Antikorrupsionit na konfirmoi se Kryeministri jo vetëm që ka pasur dijeni të plotë për Gërdecin, por ka drejtuar gjithçka nga zyra e tij. “Në këtë kuadër, Alibeaj paska qenë ngarkuar të bëjë gati ligjet e trafikut që morën jetën e shqiptarëve të Gërdecit”, - tha gjatë deklaratës së tij, Manjani. Ai shtoi më tej se tragjedia jonatyrore e Gërdecit vazhdon të na servirë prova të pakontestueshme për përfshirjen e Sali Berishës në aferën e trafikut dhe të korrupsionit. Kjo është arsyeja që Sali Berisha ka marrë peng shtetin për të mos lejuar drejtësinë të hetojë mbi aferat e familjes së tij. “Prandaj, edhe një herë sot në emër të PS-së i kërkojmë Sali Berishës të japë dorëheqjen, si të vetmen zgjidhje që i ka mbetur për të çliruar shtetin nga pengmarrja, si dhe drejtësinë nga presioni. “Sali Berisha duhet të largohet nga çdo detyrë publike, pasi gënjeu me paturpësi shqiptarët për mosdijen për Gërdecin, ka marrë peng shtetin duke e vënë atë në shërbim të interesave të tij personale dhe duhet lejuar drejtësia të bëjë punën e saj. Morali politik në demokraci kërkon që politikanë të tillë të largohen nga jeta publike”, - përfundoi ai.
Ky lajm është publikuar: 04/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›