E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha terhiqet per kompetencat e Topit

Partia Demokratike është tërhequr nga qëndrimi i saj për ndryshimin e nenit 93 të Kushtetutës. Dje, në Komisionin e Ligjeve, deputetja Arenca Trashani, ka deklaruar tërheqjen e këtij propozimi për shkak të debateve që ka pasur në politikën shqiptare dhe kundërshtinë nga PS-ja dhe partitë e tjera politike. Në propozimin e PD-së, në nenin 93 thuhej se "Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete. Dekretet e Presidentit kundërfirmohen nga Kryeministri ose ministri përkatës, me përjashtim të dekretit për shpërndarjen e Kuvendit".

Ky formulim është kundërshtuar nga të gjitha partitë politike, por edhe nga deputetë të grupit të PD-së, me argumentin se po kërkohet që t‘i merren kompetencat Presidentit, duke ia kaluar ato Kryeministrit. Kjo tërheqje e PD-së është komentuar nga anëtarët të Komisionit të Ligjeve. Deputetët Spiro Peçi, Spartak Braho dhe Arian Madhi, janë shprehur se loja që po bën PD-ja është e pakuptimtë. Sipas tyre, nuk po merret vesh se kur sillet dhe kur tërhiqet një amendament. Por mbi të gjitha, thekson Peçi, "ajo që të bie në sy është mungesa e seriozitetit me të cilën kërkohet të preket Kushtetuta". "Amendamentet e propozuara nga PD-ja për ndryshimin e Kushtetutës, është shprehur Peçi, u janë servirur deputetëve si letër bakalli, ku në shkresë mungojnë të gjitha parametrat që duhet për hartimin e një projektligji". Gjithashtu, partitë e vogla kanë kërkuar që ndryshimet në Kushtetutë të mos diskutohen paralelisht me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ky propozim nuk është marrë parasysh nga dy partitë e mëdha, të cilat në parim kanë miratuar dje projektligjet për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Ata kanë miratuar ndryshimin e nenit 64, 65, 68, si dhe shfuqizimin e kapitullit 12 të Kushtetutës, i cili flet për KQZ-të. Sipas projektligjit të miratuar dje në Komisionin e Ligjeve, KQZ-ja nuk do të ekzistojë më si institucion kushtetues, por kompetencat e saj do të parashikohen në Kodin Zgjedhor. Miratimi i këtyre ndryshimeve është votuar në parim nga deputetët e PD-së dhe të PS-së, por është votuar kundër nga deputeti i LSI-së Spartak Braho, deputeti i PBDNJ-së Spiro Peçi, ndërsa është abstenuar nga deputeti i PR-së Arjan Madhi. Deputeti i LSI-së Braho, gjatë sqarimit të votës së tij kundër, nuk i ka kursyer akuzat ndaj dy partive të mëdha. Sipas tij, LSI-ja ka votuar kundër këtyre ndryshimeve, sepse kundërshton marrëveshjen e fshehtë dhe pazaret e pista të bëra mes PD-së dhe PS-së. Braho, i shprehur në emër të partisë së tij, është dakord për ndryshimet e sistemit zgjedhor, por ato duhet të vijnë konform procedurave. Ai ka kundërshtuar ndryshimin e nenit 68 të Kodit Zgjedhor, duke theksuar se "nuk di një Kushtetutë në botë, e cila të përcaktojë listat zgjedhore nëse do të jenë të hapura apo të mbyllura, sepse për këtë duhet të flasë Kodi Zgjedhor. Ky nen dhe ky veprim që po bën sot PD-ja dhe PS-ja është qesharak dhe bëhet për të pasur nën kontroll të gjitha lëvizjet", tha Braho.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›