E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon tryeza e mazhorancës për reformën zgjedhore

Dështon tryeza e shumëpritur e koalicionit qeveritar. Aleatët e djathtë nuk kanë mundur dje të gjejnë gjuhën e përbashkët me liderin e partisë më të madhe në vend, Sali Berishën. Kreu i republikanëve, Fatmir Mediu, dhe ai i demokristianëve, Nard Ndoka, kanë deklaruar dje se do të ketë një tryezë të dytë në nivel teknikësh për të diskutuar ndryshimet që priten në Kushtetutë në lidhje me reformën elektorale. Të kontaktuar nga gazeta "Shqip" pas përfundimit të tryezës së koalicionit qeveritar, aleatët kanë pranuar se takimi i parë me Kryeministrin Berisha lidhur me çështjen e reformës zgjedhore ka dështuar dhe nuk është arritur një rezultat konkret dhe përfundimtar mbi ecurinë e këtij procesi. Të vegjëlit e PD-së nuk kanë mundur të diskutojnë në tryezë me Berishën çështjen e ndryshimeve në qeveri, por janë fokusuar vetëm te ndryshimet kushtetuese. Mënyra e zgjedhjes së Presidentit është një tjetër pikë e diskutuar mes aleatëve dhe Berishës, por edhe për këtë çështje nuk është mundur dot të gjendet gjuha e përbashkët. Përveç tryezës në nivel ekspertësh, një mundësi tjetër e mirë për të gjetur kompromisin brenda së djathtës është edhe takimi kokë më kokë me liderin e PD-së, i cili pritet të sjellë edhe zhvillimet më të fundit në sferën politike. "Berisha nuk i pëlqeu propozimet tona për ndryshimet në Kushtetutë, dhe as ne nuk pëlqyem ato që na ofroi ai", u shpreh një prej kryetarëve të partive të djathta pas tryezës së shumëpritur, e cila nuk konkretizoi asgjë.

Tryeza e koalicionit

Pas kërkesave të njëpasnjëshme për tryezën e partive të djathta, shefi i mazhorancës ka mbledhur dje në Kryeministri gjashtë aleatët me të cilët qeveris. Sistemi zgjedhor, pragu elektoral, listat e hapura dhe disa pika që lidhen me ndryshimet kushtetuese kanë qenë pikat mbi të cilat është vënë theksi në tryezën e koalicionit të djathtë. Fatmir Mediu, Nard Ndoka, Genc Pollo, Lufter Xhuveli, Arian Starova, Leonard Solis dhe Ekrem Spahia janë mbledhur dje pasdite përreth 130 minuta në zyrën e Kryeministrit Sali Berisha për të diskutuar lidhur me ndryshimet në Kushtetutë. Partitë e djathta u mblodhën të hënën pasdite, në orën 17:30, për të diskutuar mbi ndryshimet në Kushtetutë lidhur me reformën zgjedhore, të propozuara nga Partia Socialiste, si dhe mbi amendimet e kërkuara nga Partia Demokratike në ligjin themeltar të shtetit. Megjithëse nuk kanë finalizuar asgjë në lidhje me ndryshimet në Kushtetutë, një tryezë e dytë, këtë herë në nivel teknikësh, do të vijojë atë që lanë përgjysmë kryetarët e partive të djathta dje pasdite, në godinën e Kryeministrisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›